Rajon
Vuçiç: S’ka sanksione ndaj Rusisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar sot se ka vendosur që shteti që drejton të mos i vendos sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Ai mendon se vendimi për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë ka qenë i saktë në kohën kur është marrë dhe se është i saktë edhe tani.
Duke folur për kërkesat e Bashkimit Evropian që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme si vend kandidat për anëtarësim dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë, Vuçiq tha se “Serbia duhet të qëndrojë në rrugën evropiane, por edhe të mbrojë miqtë e saj tradicionalë”, raporton aljazeera.
“Do të ketë vendime të tilla, ju duhet të luftoni dhe të ecni përpara, por gjëja më e rëndësishme është të mbrojmë vendin tonë dhe të ruajmë të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha ai.
Kujtojmë se ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë së fundmi se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, qëndrimi i Serbisë ka qenë i njëjtë dhe se nuk ka thënë asgjë të re kur ka thënë se Serbia e ka lënë të hapur mundësinë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Daçiq tha se Serbia do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse vetëm nëse qytetarët e saj pësojnë dëme të pariparueshme, pra nëse ka presione shtesë. Ai thotë se deri më tani nuk ka pasur nevojë të shqyrtohen apo miratohen sanksione.
Sipas tij, tregtia e Serbisë me Rusinë nuk ka qenë asnjëherë e madhe, dy deri në tre miliardë dollarë dhe pjesa më e madhe është importi i produkteve energjetike nga Rusia.
Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia e ka mbështetur që në fillim integritetin territorial të Ukrainës dhe gjithmonë ka votuar pro rezoluta të tilla të Kombeve të Bashkuara.