Politike
Vula e PD-së, Gjykata e Lartë kthen çështjen për rishqyrtim në Apel
Gjykata e Lartë ka vendosur rikthimin për rishqyrtim në Apel çështjn e vulës dhe logos së PD-së.
Trupa Gjykuese e përbërë nga Artur Kalaja, Ervin Pule dhe Dariel Sina kanë gjetur shkelje në vendimin e dhënë nga Gjykata Apelit, të cilët në datën 3 mars të këtij viti, pak përpara zgjedhjeve vendore, vendosi rrëzimin e vendimit të Agron Zhukrit dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë.
Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet përkatëse ndërkohë që ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk kanë ngritur si pretendime në ankim. Çështja është kthyer për rishqyrtim në Apel po me një trupë të re gjykuese.
Njoftimi
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.
Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.
Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:
“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”