Politike
Vula te Berisha/ Ja deputetja e parë që largohet nga Basha dhe bashkohet me Grupin Parlamentar të PD
Eralda Tase Bano është deputetja e parë e grupimit të Lulzim Bashës që i bashkohet grupit parlamentar të PD-së që drejtohet nga Gazment Bardhi.
Dy ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i dha të drejtën e vulës grupit të Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha, deputetja e Fierit ka vendosur ti bashkohet Grupit Parlamentar të PD-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Eralda Tase Bano bën të ditur se do të mbetet deputete e PD-së.
Vendimi i saj vjen në një kohë kur nga grupimi i Lulzim Bashës nuk ka asnjë vendimmarrje se çfarë do të ndodhë me ata që e mbështetën, pra nëse do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë, do të krijojnë një forcë të re politike, apo do ti bashkohen PD-së së drejtuar nga Sali Berisha. Ky i fundit në deklaratat publike ka bërë thirrje për bashkim, duke e cilësuar si një proces të domosdoshëm.
Postimi nga Eralda Tase Bano
Të dashur qytetarë,
Lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike. Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes.
Demokratë të nderuar,
Dëshiroj të shpreh përulësisht një mirënjohje të thellë për këdo që më ka mbështetur në këto vite!
Jam mirënjohëse ndaj miqve, kolegëve,simpatizantëve të mi dhe kujtdo që ka marrë guximin të më kritikojë. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim.
Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve.
Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.💙✌🏻