Rajon
Vulin dhe Shoigu dënojnë nga Moska “revolucionet me ngjyra”

Zevendes kryeministri i Qeverisë së Serbisë, Aleksander Vullin dhe Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Sergei Shoigu, kanë thënë se do të intensifikojnë dialogun me qëllim kundërshtimin e “revolucioneve me ngjyra”.
Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, të publikuar pas takimit mes dy zyrtarëve në Moskë, thuhet se “pala ruse shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për popullin vëllazëror të Serbisë në ruajtjen e stabilitetit”.
Deklaratat e zyrtarëve serbë dhe rusë për “revolucionet me ngjyra” vijnë në kulmin e protestave masive në Serbi, pasi demonstruesit prej më shumë se tre muajsh kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 15 shkurt se ka përpjekje për “revolucion me ngjyra” duke mos treguar saktë kujt i është referuar, mirëpo pretendoi se janë investuar “tre miliardë euro” për rrëzimin e shtetit.
Pas takimit mes Vulinit dhe Shoigu në Moskë, është bërë e ditur se palët janë pajtuar që t’i vazhdojnë kontaktet përmes Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse “në interes të forcimit të lidhjeve tradicionale miqësore midis Serbisë dhe Rusisë, si dhe popujve të dy shteteve”.
Një ditë para takimit të Vullinit dhe Shoigut, në Moskë janë zhvilluar takime mes ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrovit me ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq.

