Kosova
“Wagner”, ‘Ujqit e natës” dhe grupet ekstremiste po provokojnë konflikt
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se thirrja e kryeministres serbe Ana Brnabiq drejtuar shoqërisë civile për të folur për situatën në Kosovë është një përpjekje për të homogjenizuar opinionin e gjerë rreth barrikadave në veri. Ajo tha se situata në kufirin me Kosovën është shumë më e ndërlikuar për shkak të pranisë së njësisë paraushtarake ruse “Wagner” dhe “Ujqit e natës”, si dhe grupeve ekstremiste serbe, që bëjnë gjithçka për të provokuar një konflikt dhe më pas të gjejnë justifikim për të pushtuar veriun.
Kryeministrja serbe, Brnabiq ka lutur organizatat joqeveritare që të ngrenë zërin, sepse, sipas saj, situata në Kosovë është “në prag të konfliktit të armatosur”.
Në këtë kontekst, Biserko, duke folur për “Danas” ka përkujtuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “hapësira jonë për manovrim është të tregojmë unitet, vendosmëri dhe bashkim”.
“Është interesante deklarata e presidentit nga Azerbajxhani se ai dëshiron të ‘marrë përvojat e tyre, sepse ata dinë të luftojnë dhe të fitojnë’. Në të njëjtën kohë, ai harron se fitorja e fundit ishte e mundur për shkak të ndërhyrjes së Turqisë, të cilën Rusia e injoroi. Është e qartë se ai [Vuçiq] po llogarit në mbështetjen ruse, sepse tashmë KFOR-i dhe NATO-ja e kanë paralajmëruar që të mos shkojë në atë drejtim”, thotë Biserko.Sipas saj, kërkesa e Perëndimit, në radhë të parë e Gjermanisë, për heqjen e barrikadave u prit me breshëri ofendimesh.
“Deri vonë Vuçiq besimin më të madh e kishte në Gjermani, e cila është edhe investitori më i madh në Serbi. Sjellja e Beogradit tregon se qeveria e ka tejkaluar veten dhe se nuk ka më vend për manipulime të ndryshme dhe Perëndimi nuk e toleron më, siç ka bërë prej vitesh në dëm të të gjithë fqinjëve [të Serbisë]. Gjithashtu duhet pasur parasysh se Rusia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të bëjë gjithçka për ta parandaluar atë”, thekson Biserko.
Përkundër të gjitha manovrimeve të përmendura të Beogradit, ajo thotë se ministri i Jashtëm Nikola Selakoviq ende deklaron se Serbia nuk po heq dorë nga anëtarësimi i saj në BE, duke llogaritur natyrisht se Perëndimi, mbi të gjitha SHBA-të, do të vazhdojë të kenë qëndrim dashamirës, duke shpresuar se Vuçiq do të zgjedhë perspektivën evropiane të Serbisë.