Politike
Xhelali: Absurde që qahemi se na vodhën votat
Deputet i Partisë Demokratike Xhelal Mziu ka deklaruar se i duket absurde që vjedhja e votave të kthehet në refren të opozitës pas çdo procesi zgjedhjesh.
“Është bërë e udhës në Shqipëri, që nga zgjedhjet e pjesshme në Dibër, që ka akoma dosje të hapur, që PS të sofistikohet edhe më tej, duke tjetërsuar votat.
“Krahas denoncimeve që duhen bërë, duhen gjetur dhe shkaqet e arsyet që na kanë dërguar te humbja. Ne nuk kemi përballë një kundërshtar që nuk ia dimë stilin e lojës, prandaj duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë.
Nëse ai përdor presionin, duhet që ta përdorim edhe ne. Duhen marrë përgjegjësitë për humbjen. Ndonjëherë, ai statuti i PD është bërë si bibël që nuk duhet prekur, edhe më lart se Kushtetuta e vendit. Ne duhet të jemi bashkëkohorë dhe të gjejmë zgjidhje”, shtoi deputeti demokrat.
Sipas tij, problemi kryesor që çoi PD-në drejt humbjes, ishte “copëtimi i partisë”.
“Unë nuk kam parë në asnjë vend, që një forcë politike të fitojë duke qenë e përçarë. Aq më tepër kur je në opozitë. Prandaj, them që kjo humbje e thellë të shërbejë për të bashkuar të gjithë opozitën dhe të dalim në zgjedhjet e vitit 2025 të bashkuar”, theksoi Mziu në A2.