Kronike
‘Zaptuan’ rrugët afër bregdetit dhe u merrnin para turistëve, 4 persona nën hetim
Policia Sarandë vijon kontrollet, me qëllim lirimin e hapësirave publike, ku kanë evidentuar 4 raste që kanë abuzuar. Janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. T., 38-vjeç, A. K., 45-vjeç, Sh. A., 58-vjeç dhe F. N., 59-vjeç, banues në Sarandë. Këta shtetas kishin zënë në mënyrë të paligjshme hapësira publike të dedikuara për parking pa pagesë, dhe i përdornin ato për të përfituar pagesat për parkimin e automjeteve, kryesisht nga vizitorët dhe turistët.
Njoftimi nga policia
Gjatë kontrolleve janë evidentuar 4 raste të pushtimit të hapësirave publike, afër zonave bregdetare, me qëllim përdorimin e tyre për parking me pagesë, kryesisht për turistët dhe vizitorët. Procedohen penalisht 4 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme dhe fshihnin të ardhurat e përfituara prej saj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të kontrolleve të ushtruara me qëllim evidentimin e rasteve të zënies së hapësirave publike në mënyrë të paligjshme, për përfitime ekonomike, kanë evidentuar 4 raste të tilla. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. T., 38 vjeç, A. K., 45 vjeç, Sh. A., 58 vjeç dhe F. N., 59 vjeç, banues në Sarandë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas kishin zënë në mënyrë të paligjshme, hapësira publike të dedikuara për parking pa pagesë, dhe i përdornin ato në mënyrë të paligjshme, për të përfituar pagesat për parkimin e automjeteve, kryesisht nga vizitorët dhe turistët. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.