Connect with us

Aktualitet

Zbardhet dosja e ish-ushtarit të UÇK-së/ Si publikoi në rrjete sociale dëshmitë sekrete të Hagës

Top Channel ka siguruar dosjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj i cili u arrestua të hënën me urdhër të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, “gjykatësi i vetëm ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar  që z.Goxhaj, së paku dy herë, zbuloi qëllimisht çfarë besonte dhe deklaroi se ishte informacion i mbrojtur jopublik i dëshmitarëve, përmes një postimi të datës 1 janar 2023 në faqen e Facebook-ut që mban emrin Dritan Goxhaj dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme të shkrimit të Goxhajt më 2 janar 2023 në formën e një artikulli-opinion që u publikua me kërkesën e tij në faqen e internetit të agjencisë së lajmeve KosovaPress me seli në Kosovë. Informacioni që zbulua përfshinte emra, të dhëna personale dhe shtetet e banimit të dëshmitarëve të supozuar në proceset e Dhomave të Specializuara. Në shkrimin e Goxhajt gjithashtu thuhej se në çdo do kohë mund të zbuloheshin edhe të dhënat personale të dëshmitarëve të tjerë të supozuar”.

Goxhaj dyshohet për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I akuzuari gjithashtu dyshohet se ka publikuar emrat e dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar.

Kjo ka nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku drejtuesi i saj, Faton Klinaku kundërshton arrestimin e Goxhajt.

Nga ana tjetër, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do bëhet ekstradimi i tij në Hagë.

Kujtojmë se Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Ai iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë.

Advertisement