Kronike
Zbardhet marrëveshja

Pas dhënies të statusit të investitorit strategjik zhvillimit të projektit Durrës Yachts & Marina, ku shteti dhuron truallin dhe përjashton nga taksat kompaninë zhvilluese, eshtw zbardhur edhe kontrata për prenotimin e blerjeve të apartamenteve.
Nga Marrëveshja rezulton që investitori kërkon që të mbledhë me urgjencë paratë, teksa 20% e vlerës së apartamentit duhet të paguhet 5 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes paraprake të shitjes dhe 20% deri në 3-6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.
Pjesa tjetër prej 60% paguhet gradualisht nga ndërtimi i strukturës deri në përfundimin e objektit.
Ndërkohë nuk jepet garancia se në përfundim do të blesh pronën sipas vend ndodhjes së prenotuar.
Më 8 dhjetor kompania “Eagle Hills Real Estate Development” hapi shitjet e apartamenteve nëpërmjet kontratave të prenotimit që iu shpërndanë të interesuarve.
Kompania njoftoi se apartamentet do të jenë me një deri në tre dhoma dhe do të fillojnë nga 110 mijë euro, “Marrëveshja për prenotimin e interesit” që përbehet prej 5 nenesh përcakton se nuk do të interpretohet si një marrëveshje paraprake shitblerjeje, por ekskluzivisht si një shprehje e interesit për të hyrë në listën e ngushtë të palëve të interesuara, që do të jenë të parët të ftuar për të pasur të drejtën për të nënshkruar marrëveshjen paraprake të shitjes.
Fillimisht marrëveshja parashikon që duhet të paguhet tarifa që paguhet për prenotimin e blerjes së apartamentit, që kushton 1,200 euro, ndërsa për garazhin tarifa është 500 euro. Kontrata përcakton në pikën 4.3 të saj se kjo tarifë duhet të paguhet 24 orë nga nënshkrimi i marrëveshjes dhe 2 orë pas hapjes së shitjeve.

