Kosova
Zbulohet mashtrimi i pesëshes evropiane për Asociacionin
U raportua se pesë emisarët e BE-së që u takuan me kryeministrin Albin Kurtin, kanë sjellë draft statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të përgatitur nga ekipet e tyre, draft i cili mbështetet edhe në Pakon e Ahtisaarit që është edhe baza e Kushtetutës së Kosovës. Pikërisht për këtë ka reaguar edhe Prof.dr. Enver Bytyçi. Sipas tij, aty kanë një ‘hile’, pasi Asosacioni nuk duhet të bazohet “edhe në pakon e Ahtisaarit”, por vetëm në pakon e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilës është hartuar dhe miratuar kushtetuta e Kosovës. Bytyçi tha se termi i përdorur “edhe në pakon e Ahtisaarit” është një rreng mashtrimi për të fshehur djallin që ndodhet jashtë kësaj pakoje dhe se përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, përfshirë krerët opozitarë, nuk duhet të pajtohen me këtë gjë. “Po thuhet se pesëshja euro-amerikane ka sjellë për qeverinë e Kosovës një draft-statut të Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Dhe se ky draft-statut është i bazuar “edhe në pakon e Ahtisaarit”, dmth në kushtetutën e Kosovës. Kryeministri Kurti, presidentja Osmani, por edhe opozita kanë deklaruar para e pas zgjedhjeve parlamentare se Asosacioni do të bëzohet në frymën, nenet dhe konceptin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë: – Asosacioni nuk duhet të bazohet “edhe në pakon e Ahtisaarit”, por vetëm në pakon e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilës është hartuar dhe miratuar kushtetuta e Kosovës. Kur thuhet “edhe në pakon e Ahtisaarit”, kuptohet lehtë se ka pjesë jashtë kësaj pakoje. Pra jashtë kushtetutës. Përdorimi i termit “edhe në pakon e Ahtisaarit” është një rreng mashtrimi për të fshehur djallin që ndodhet jashtë kësaj pakoje! Nuk besoj se Kurti, Osmani, Konjufca e as kryeopozitarët, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj do të pajtohen me pjesën jashtë pakos së Ahtisaarit dhe kushtetutës së Kosovës! Por që ta fitoni betejën për ruajtjen e rendit kushtetues duhet së paku në këto momente të bëheni bashkë. Ndryshe duhet hapur në Prishtinë një kolegj për edukimin e mashtruesve, servilëve dhe naivëve që besojnë të pabesueshmen për të shkatërruar shtetësinë dhe cënuar integritetin territorial të Kosovës” – shkruan Bytyçi.