Politike
Zbulohet se për çfarë dëshmoi në SPAK ish-kryebashkiaku Bardh Spahia
Janë zbardhur detaje të reja nga thirrja e sotme në SPAK e ish-kryebashkiakut të Shkodrës dhe ish-deputetit të Shkodrës, Bardh Spahia, i cili u fut në godinë i shoqëruar nga avokati i tij.
Burime për mediat bëjnë me dije se ai është marrë në pyetje nga agjentët e BKH-së në lidhje me vendimin që ka marrë kur ushtronte detyrën e kryebashkiakut për të larguar nga detyra e drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, Mark Molla.
Spahia e shkarkoi Mollën në muajin korrik të vitit 2022, teksa në krye të UKSH-së emëroi Arvit Bushatin me një mandat 3-vjeçar.
Ndërkohë, gjykata rrëzoi dhe ankimin e ankimin e bërë nga Mark Molla, i cili bazohej me një vendim të marrë nga ish kryebashkiakja Voltana Ademi pak ditë përpara se të dorëzonte detyrën, që i zgjati mandatin edhe me 4 vite.
Mark Molla ushtron detyrën e drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve që nga viti 2015, pas zgjedhjeve lokale, teksa është një person i dënuar me 8 vite burg në vitin 1989 për përvetësim prone, 10 muaj për shpërdorim detyre, dhe 10 muaj për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Një vit pas emërimit KLSH, ushtroi një audit në ndërmarrjen që ai drejton dhe evidentoi disa shkelje të rënda, 4 nga të cilat lidhur me tenderit dhe procedurat e prokurimit. Ish-kryebashkiakja Ademi nuk e mori parasysh asnjëherë raportin e KLSH për ta larguar nga detyra.
Në vitin 2016 isnpektoriati i kontrollit të pasurive e dënoi Mark Mollën me 100 mijë lekë gjobë për mosdeklarim të pasurisë.
Kujtojmë se i pyetur nga gazetarët pas daljes nga SPAK, ish-kryebashkiaku bardh Spahia nuk dha detaje konkrete, por tha se çështja e tij nuk ka interes publik dhe sipas tij, nuk ka lidhje as me korrupsionin dhe as me krimin e organizuar.
“S’ka interes publik. Është një deklaratë që nuk ka lidhje me korrupsion, as me krimin e organizuar, as me para të pista, asgjë. Nuk ka interes për opinionin publik”, tha shkurtimisht Bardh Spahia për gazetarët.
Kjo është hera e dytë që Bardh Spahia paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. Ai u paraqit në SPAK edhe mëngjesin e 2 tetorit, ku qëndroi për rreth 30 minuta dhe po ashtu, ishte i shoqëruar nga avokati i tij.