Kosova
Zbulohet skandali i Vuçiç/ Media kroate zbardh prapaskenat e forta
Media kroate “Index” ka publikuar një artikull duke renditur arsyet se pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po e mbajnë presidentin serb ende në pushtet pas skandalit me zgjedhjet që u mbajtën në 17 dhjetor 2023.
“Mbështetësit e presidentit serb Vuçiç fituan, siç pritej. Opozita humbi, gjithashtu pritej. Zgjedhjet u vodhën” – shkruan Boris Vukotiç, duke theksuar – “Sepse dihej qe zgjedhjet do vidheshin dhe u vodhën në mënyrë brutale”
Shumë prova dhe fakte u zbuluan dhe u raportuan në raportin e CRTA, një organizatë joqeveritare serbe me ndikim, e cila në vitin 2018 mori çmim nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Po cfarë kanë bërë deri tani Amerika dhe Bashkimi Europian?
Media kroate shkruan se në vitet e fundit, zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë minuar plotësisht kredibilitetin e tyre duke zgjedhur gjithmonë stabilitetin e rajonit në vend që të mbështesin parimet dhe vlerat demokratike në Serbi. Dhe duke përfituar nga kjo, vazhdon sundimi i autoritarëve, jodemokratikëve, të pakontrolluarëve dhe të pakufizuarëve. Vazhdon sundimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
“Politikbërësit e Brukselit dhe Washingtonit I kanë besuar pretendimeve të shëmtuara të Vucicit se ai është i përkushtuar ndaj vlerave evropiane. Ata kanë neglizhuar dëmshmëritë brutale dhe të dukshme të politikave të tij, jo vetëm të brendshme, por edhe të jashtme dhe se kanë përdorur karrota dhe vetëm karrota, pa treguar asnjëherë shkopin” – shkruan media kroate “Index”.
“Zyrtarët evropianë besuan, dhe duket se shumë prej tyre ende besojnë, se Vuçiç, pavarësisht nga rezymeja e tij dhe politikat që ai drejton, në fund mund të jetë një lojtar kritik dhe kyç që do i mundësonte Brukselit t’i afrohej synimeve të tij gjeostrategjike në Ballkan. Para së gjithash, bëhet fjalë për një lloj stabiliteti në një rajon të paqëndrueshëm, të varfër dhe jo shumë tërheqës, i cili në histori ka prodhuar gjithmonë vetëm telashe” – theksohet ndër të tjera në artikull, ku gjithashtu potencohet:
– “Më tej, bëhet fjalë edhe për bindjen e Ballkanit kur bëhet fjalë për zbatimin e agjendës së mbrojtjes së BE-së për tranzitin e emigrantëve të paligjshëm, fluksi i të cilëve e ndërlikon shumë situatën tashmë komplekse ekonomike dhe politike në Evropë pas agresionit rus kundër Ukrainës. Dhe së fundi, por aspak për nga rëndësia, vendosja e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të vendoste themelet për njohjen eventuale të pavarësisë së Kosovës, është pa mëdyshje prioriteti kryesor i BE-së dhe SHBA në Ballkan”