Kosova
Zgjedhja e kryekuvendarit/ Baton Haxhiu: Basha shfaqet i zgjuar por është pika e injorancës
Analisti politik Baton Haxhiu, duke komentuar zgjedhjen e kryekuvendarit në Kosovë, ka shkruar se “Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur një kryetar që nuk përfaqëson as dinjitet, as vizion, as konflikt idesh”
Sic edhe shkruan ai, Dimal Basha nuk është as Albulena Haxhiu dhe as Donika Gërvalla…
“Ky është një rast tjetër. Është pika e injorancës, e shfaqur si ambicie. Një figurë që mendon se është e zgjuar, por që në fakt është vetëm një kompromis i zbrazët” – ka theksuar analisti I njohur duke potencuar se: –
“Në politikën e Kosovës, e keqja votohet jo ngaqë është më bindëse, por ngaqë është më e padëmshme për të gjithë. Një njeri i tillë nuk ngjall frikë, nuk hap beteja, nuk kërkon llogari. Thjesht u përshtatet të gjithëve sepse nuk rrezikon askënd. Për këtë arsye, përkundër cinizmit me të cilin Vetëvendosja e propozoi, opozita e votoi. Të gjithë e dinin se refuzimi i tij do të sillte nevojën për një figurë të rëndë, me peshë reale. Dhe ky është luks që politika kosovare nuk dëshiron ta përballojë.
Zgjedhja e Dimal Bashës nuk është rastësi. Është pasqyra më e qartë e sistemit që kemi. Një sistem që nuk refuzon të keqen, por e pranon si formën më të lehtë të kompromisit. Dhe kjo tregon se ku mund të shkojë Kosova, nëse standardi i saj i përfaqësimit mbetet ky: jo tek e ardhmja me vizion, por tek boshësia që ushqen cinizmin e pushtetit.
Në këtë mënyrë, Kosova nuk përballet thjesht me dështimin e klasës politike, por me një pasqyrë të shoqërisë që, duke pranuar padijen si përfaqësim, pranon edhe rrënimin e vetvetes. Nëse politika zgjedh padijen, atëherë edhe populli që e voton nuk është më viktimë, por bashkëfajtor. Dhe kështu, e keqja nuk vetëm tolerohet, por bëhet normë e përfaqësimit” – ka deklaruar Haxhiu ne shkrimin e tij.