Shkrime
Zgjedhja e presidentit në Kosovë/ Albin Kurti nxjerr lepurin nga kapelja
Kanë mbetur edhe 9 ditë për të zgjedhur presidenten apo presidentin e vendit, por ende nuk dihet se kush janë kandidatët. Dihet vetëm që presidentja aktuale synon edhe një mandat. Shihet se ajo nuk i ka 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim, siç nuk ka as deklarime të qarta nga partitë politike se cilin kandidat apo kandidate mbështesin. Realisht, nuk dihet se kush do të jetë në krye të shtetit në pesë vitet e ardhshme.
Nuk dihet biografia e kandidatit apo e kandidatëve. Nuk dihet asgjë për orientimin e tyre politik; nga vijnë, kush janë, çfarë synojnë në politikë, çfarë vlerash përfaqësojnë (dhe çfarë jo) apo çfarë qëndrimesh mbajnë për çështjet më të rëndësishme. Në këtë cirk, populli është thjesht një spektator para manezhit politik, duke pritur që një „çudibërës“ të dalë në skenë dhe të nxjerrë kandidatin nga cilindri.
Nëse i bëjmë një bilanc përvojës së zgjedhjes së presidentëve që nga shpallja e pavarësisë, rezultati nuk është i mirë. Dy herë ka ndodhur rrëzimi i presidentëve nga Gjykata Kushtetuese. Një herë bashkësia ndërkombëtare u detyrua të propozonte vetë një kandidate për ta shpëtuar Kosovën nga një krizë e thellë politike. Ka pasur raste kur zgjedhjet janë bërë për arsye krejtësisht jashtëpolitike. Të gjitha këto nuk ia kanë rritur vlerën postit të presidentit në sytë e qytetarëve.
Zgjedhja e presidentit është shndërruar në një „bombë atomike“ që mund ta hedhë në erë qeverinë, nëse procesi dështon në Parlament. Kjo mund të ndodhë madje edhe pak javë pas zgjedhjeve parlamentare. Në një situatë të tillë Kosova gjendet edhe tani.
Për hir të stabilitetit institucional, por edhe që posti i presidentit të mos jetë më pjesë e pazareve politike, nuk ka zgjidhje tjetër përveç ndryshimit të Kushtetutës, në mënyrë që kreu i shtetit të zgjidhet direkt nga qytetarët. Është e habitshme që kryetarët e partive nuk po e diskutojnë pikërisht këtë çështje tani. Sepse edhe pas pesë viteve, Kosova do të gjendet sërish para të njëjtës situatë: partitë nuk merren vesh dhe në çastin e fundit dikush nxirret sërish si „lepur“ nga cilindri.