Connect with us

Politike

Zgjedhjet/ Bylykbashi: KAS i kapur politikisht, burgu përmbysi rezultatin

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka deklaruar se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është i kapur politikisht. Ai iu referua me theks të veçantë të burgosurve në Rrogozhinë, ku sipas tij, u përzgjodhën të votonin qeverinë. Sot, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi me shumicë votash rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për të mos pasqyruar te rezultati final votat e qendrës së votimit në burgun e Rrogozhinës.

“KAS sot përkthehet në një mekanizëm që dështon procesin ankimor. Kemi parë vendime që as gjykata nuk i kishte marrë përsipër. KAS përcaktoi që kush është kryetari i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. KAS është i kapur politikisht. Në rastin e Rrogozhinës, burgu përmbysi rezultatin. 24 të burgosur i kanë marrë në mënyrë të targetuar, me siguri ka shumë më tepër se aq. Është 2/3 e votave kjo e burgut. Kanë apo nuk kanë të drejtën e votës, KAS nuk na jep këtë informacion. Këta kanë përzgjedhur të burgosur që do të votonin për qeverinë”, tha ai.

I ndalur tek Kamza dhe Elbasani, Bylykbashi solli në fokus një sërë problematikash. Ai tha se në të gjitha qendrat e votimit të Kamzës dhe të Elbasanit, është provuar votim sistematik i asistuar. Po kështu Komisionet kanë thyer rregullat që garantojnë sekretin dhe lirinë e votes.

“Kemi në mënyrë sistematike të provuar qartë, që operatorë, komisionerë, kanë asistuar votimin e shumë zgjedhësve dhe kjo është antikushtetuese. Në pesë qendra votimi ka pasur votim familjar. Në të gjitha qendrat e votimit të Kamzës dhe të Elbasanit, është provuar votim sistematik i asistuar, duhet të shpallen të pavlefshme. Komisionet kanë thyer rregullat që garantojnë sekretin dhe lirinë e votës”, ka shtuar ndër të tjera Bylykbashi./dosja.al

Advertisement