Connect with us

Politike

Zgjedhjet e 11 maji/ Regjistrimet e Diasporës mbyllen në mesnatë, ‘digjen’ të refuzuarit

Sot në mesnatë, kur akrepat të shënojnë 00.00, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përfundon afati i regjistrimit të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Komisioni Rregullator nuk ka rënë dakord për zgjatjen e afateve për regjistrimin e diasporës. Po ashtu KQZ nuk do të lejohet që të kontaktojë dhe t’u japë një shans tjetër atyre që janë refuzuar. 42.300 votues nga jashtë janë deri më tani të refuzuar.

Kërkesat

Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbërriti një kërkesë nga ana e anëtarëve të Komisionit Rregullator që mban firmën e anëtares Helga Vulaj dhe anëtarit Muaharrem Cakaj, të cilët kërkojnë më shumë kohë për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë territorit të Shqipërisë. Të dy kërkojnë edhe 5 ditë kohë për regjistrimin e aplikantëve dhe të shtyhet me 3 ditë kohë shtesë shqyrtimi i kërkesave të zgjedhësve nga jashtë vendit.

Një kërkesë për shtyrje erdhi edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos e miratojë kërkesën për të shtyrë deri më datë 9 mars afatin për regjistrimin e emigrantëve. Sipas tij, kjo “lëvizje”, tregon frikë të socialistëve nga vota e diasporës.

“Ky refuzimi është një shkelje madhore e Kushtetutës së vendit. Ky refuzim është përjashtimi nga e drejta e votimit e të paktën sipas shifrave zyrtare, të 500 mijë, por shifrat e tjera flasin për 800 mijë shqiptarë jashtë vendit, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduara,”-tha Berisha.

Ndërkohë që Partia Socialiste është kundër shtyrjes së afatit të regjistrimit për gjithë emigrantët, por ka shprehur dakordësinë me kryekomisionerin Ilirjan Celibashin për t’i dhënë më shumë kohë atyre që janë refuzuar në mënyrë që të fusin edhe njëherë në sistem të dhënat e tyre. Por edhe kjo “lëvizje” nuk mund të kryhet pa marrë dakordësinë e Partisë Demokratike.

PAMJET NGA MBLEDHJA: 

Regjistrimi për diasporën u hap më datë 11 janar dhe deri më tani regjistrohen rreth 285 mijë kërkesa nga votuesit jashtë territorit shqiptar, ndërkohë që 42,410 mijë janë refuzuar. Kërkesat më të shumta për t’u regjistruar janë me emigrantë nga Tirana, 72,631; të ndjekur nga Fieri dhe Elbasani. Më pak kërkesa ka pasur nga qarku i Kukësit.

"11 maji"/ S'ka dakordësi për shtyrje afati!

Po sipas statistikave të KQZ, më shumë vota me postë do të dërgohen në Itali, Greqi dhe Gjermani. Votuesit janë më shumë meshkuj, ndërsa grupmosha më e shpeshtë është ajo e moshës “36-45-vjeç”. Nga të gjithë ata që kanë aplikuar 111,958 u janë refuzuar kërkesat për të votuar. Për herë të parë, ata do të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 majit. Që nga hapja e afatit për regjistrimit, deri më sot, janë bërë 285 mijë kërkesa, nga të cilat janë miratuar 228 mijë, ndërsa në shqyrtim janë edhe mbi 42 mijë të tjera.

Advertisement