Shkrime
Zgjedhjet lokale nuk janë të Berishës, të Metës dhe as Ramës
Nga Ben Andoni
Në pak muajt e mbetur deri në zgjedhjet lokale të vitit 2023 një gjë të bën përshtypje, që skenën politike të vendit, atje nga për fatin jo aq të mirë do të dalin dhe kryemenaxherët e pushtetit lokal e kanë marrë Berisha dhe Meta. I pari ende i paqartë për të ardhmen e dokumentimit të ndryshimeve statuore të partisë së tij, kurse i dyti me përpjekje të mëdha për të njohur projektin e tij politik, materializuar me Partinë e Lirisë. Kjo e fundit e krijuar mbi bazën e LSI-së, por e modifikuar si asnjë parti në vendin tonë, i duhet të tregojë se çfarë njerëzish do t’i përballë në drejtim publikut shqiptar.
Ndërkohë, veç problemit të Reformës Territoriale, nga e cila pritet një ide sesi do të orientohet Shqipëria në të ardhmen e vet dhe ku vetë PD-ja e Berishës dhe Alibeajt nuk e gjejnë gjuhën, i shtohet Reforma Elektorale dhe mbi të gjitha emrat që do përfaqësohen. Kryeministri Rama ka lënë makinerinë e rëndë të formacionit të tij, PS, që në fakt i kanë nisur përgatitjet që me fundin e zgjedhjeve të shkuara. Në mbledhjet e fundit të PS-së janë rishpërndarë dhe riemëruar drejtues të rinj në qarqe, janë adresuar probleme, nuk është kërkuar falje fare për njerëzit që i hoqi dekriminalizimi, por sërish mbetet ai.
Me pak fjalë, zgjedhjet në Shqipëria dhe këto të pushtetit lokal, nuk kanë emra por vetëm kryetarë. Berisha që pret akrobacitë e Metës dhe mënyrën sesi do të veprohet me koalicionin ndaj po manovron me primaret për të fituar kohë, ku më shumë se procesi (që ka rëndësinë e vet), njerëzit presin propozimet e njerëzve që do t’i përfaqësojnë. Premtimi i Metës se nuk do të konkurrojë Berishën, nga ana tjetër, e lodh pak opozitën që në fakt është e identifikuar vetëm me ata të dy, pasi me Alibeajn zyrtarisht kreun e PD-së duket se rrugët janë të ndara. E megjithatë, sesi do të jetë koalicioni brenda PD-së, që duket natyral, por që mund të arrihet me shumë sakrifica për PD-në e grupit të Rithemelimit, e qoftë edhe me atë të Partisë së Lirisë, ka ende kohë. Por, një gjë të bën përshtypje, Berisha, Meta, aleatët nuk po llogariten, futur këtu edhe kryeministrin nuk kanë parasysh se popullsia është e grumbulluar në pak vende. Dhe, problemi nuk lidhet vetëm me listat zgjedhore por edhe me shpërpjesëtimin e madh të peshës së votave për përfaqësuesit e popullit në rajonet e veçanta zgjedhore në vend. Tirana, Durrësi, Fieri kanë nevojë, sidomos në zgjedhjet e përgjithshme, të ketë shumë më tepër mandate, pasi edhe popullata shqiptare është e mbledhur dhe vijon të shpërngulet aty. Ndërkaq brezi i ri që po lind në këto qytete ka një mentalitet dhe një ide krejt ndryshe zhvillimi nga ai që ndodh në vende të ndryshme të vendit, ku popullata është larguar masivisht. E gjithë kjo hartë elektorale e momentit, me vonesat e vazhdueshme të politikës, me marrjen e vëmendjes vetëm te kryetarët e partive, kjo nuk e pasqyron më problemin me pushtetin lokal jashtë vendbanimeve kryesore. Pasojat: Shërbimet e munguara, burokracia e fryrë, mungesa e investimeve etj. Veçse zgjedhjet po vinë dhe ne flasim ende për politikën dhe orekset e Berishës, Metës e Ramës.