Bota
Zgjedhjet në Gjermani/ Merz dhe Scholz hedhin votën e tyre: Çdo gjë do të shkojë mirë

Qytetarët gjermanë vijojnë ti drejtohen kutive të votimit këtë të diel teksa po mbahen zgjedhjet parlamentare. Pak më parë kanë hedhur votën e tyre edhe Kandidati për kancelar i CDU-së Friedrich Merz dhe Kancelari Federal Olaf Scholz (SPD).
Kandidati për kancelar i CDU-së Friedrich Merz hodhi votën e tij në Arnsberg, në zonën e tij elektorale Hochsauerlandkreis. Ai ka hyrë në qendrën e votimit i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Charlotte Merz. Merz ishte i bindur: “Do të jetë mirë”, tha ai jashtë qendrës së votimit.
Në zgjedhjet federale të vitit 2021, 40.4 përqind e votuesve në distriktin Hochsauerland votuan për Merz. Në sondazhet para zgjedhjeve, Unioni ishte dukshëm përpara. Merz konsiderohet si një kancelar i ardhshëm.
Gjithashtu edhe Kancelari Federal Olaf Scholz (SPD) ka votuar për zgjedhjet federale. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Britta Ernst, ai shkoi në kutinë e votimit në Potsdam, Brandenburg. Në zonën e tij zgjedhore Potsdam – Potsdam-Mittelmark II – Teltow-Fläming, ai mori 34 për qind të votave në zgjedhjet e fundit federale në 2021. Teksa u largua nga qendra e votimit, Scholz tregoi gishtin e madh para kamerave duke nënkuptuar “ok”.

