Rajon
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, koalicioni në Qeveri VLEN shpërthen në festime me këngë e valle, BDI në opozitë nis kontestimet
Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Menjëherë pas daljes së rezultateve të para, koalicioni i shqiptarëve në qeveri, VLEN, ka nisur festimet me këngë e valle, teksa pretendojnë se janë shumë pranë fitores në Çair të Shkupit si dhe në Tetovë.
Ndërkohë nga ana tjetër koalicioni shqiptar në opozitë, blloku i partive të kryesuara nga BDI, ka nisur me kontestime duke deklaruar se janë vërejtur disa parregullsi. Ata thonë se presin të shkruajnë historinë, por që të ndodhë kjo sipas tyre, duhet të numërohet saktë vullneti i qytetarëve.
Izet Mexhiti, drejtuesi i VLEN, ka shpallur fitoren e koalicionit shqiptar VLEN në Çair të Shkupit.
Ai tha se fituan shqiptarët, dhe se VLEN do të vijojë në qeverisje.
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është në epërsi ndaj kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim(AKI), Bajram Rexhepi, sipas të dhënave të siguruara nga shtabi zgjedhor i VLEN.
Kandidati i koalicionit shqiptar në qeveri VLEN për komunën e Haraçinës, Daut Beqiri, ka dalë fitues në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, duke mposhtur për një diferencë të ngushtë kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Skënder Isufi.
Pas përfundimit të procesit zgjedhorë dhe mbylljes së qendrave të votimit, koalicioni shqiptar VLEN përmes një konference për media tha se presin fitore që në raundin e parë në komunat Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë.
Koalicioni i partive shqiptare në opozitë, ka nisur kontestimin pas mbylljes së votimeve në Maqedoninë e Veriut.
Zëdhënësi i Aleancës Kombëtare për Integrim, pjesë e koalicionit të BDI së Ali Ahmetit, Arbër Ademi, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, ka ngritur shqetësime për keqpërdorime të institucioneve gjatë ditës së zgjedhjeve, duke theksuar në veçanti përdorimin e policisë për të ndikuar te votuesit.