Kosova
Zgjedhjet në Serbi, shqiptarët e Luginës garojnë me dy lista
Para dy vitesh në zgjedhjet parlamentare në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës morën pjesë me një koalicion të përbashkët “Shqiptarët e Bashkuar”, me kryetar Shaip Kamberin, i cili fitoi dhe një ulëse në Parlamentin e Serbisë.
Por, pa u kryer mandati i rregullt, Serbia më 17 dhjetor mban sërish zgjedhje parlamentare.
Këto zgjedhje për shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jenë më ndryshe pasi nuk kanë arritur të krijojnë një koalicion të përbashkët dhe do të marrin pjesë dy lista, “Alternativa Demokratike Shqiptare-lugina e bashkuar”, që udhëhiqet nga Shqiprim Arifi dhe “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, që udhëhiqet nga Shaip Kamberi.
Shqiprim Arifi nga Alternativa Demokratike Shqiptare në një prononcim ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte shkaktari që në këto zgjedhje po marrin pjesë dy lista të shqiptarëve, e jo një.
“Pas ndërhyrjes së Kurtit, rezultoi në ndarje të listës së përbashkët. Pra, tani kemi dy lista zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të parakohshme, më 17 dhjetor … Është e pamundur që të rezultojmë me një deputet së paku në këto zgjedhje…”, ka thënë Arifi.
I pyetur se pse është i rëndësishëm pjesëmarrja e shqiptarëve në këto zgjedhje, ai deklaroi: Pikë së pari ka rëndësi në aspektin e unitetit, të cilën e kemi tregu në marrëveshjen e Tiranës në vitin 2020. Kjo marrëveshje Kurtit nuk i ka pëlqyer as atëherë, por as kësaj radhe. Kurse rëndësia e dytë është që nëpërmjet një liste, në rast se nuk do të kishte ndërhyrje nga Kurti, kishim mundur të fokusojmë debatin dhe diskursin në Parlamentin e Serbisë në favor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët kryesisht nga pasivizimi, por dhe diskriminimi 30 vjeçar, ende po përballen me kushte të rënda të mbijetesës.