Connect with us

Kosova

Zgjedhjet në veri, policia e Kosovës: Kemi ndërmarrë të gjitha masat

Policia e Kosovës bën të ditur se bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor.

“Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, etj.

Ky plan parasheh që Policia e Kosovës të angazhohet në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme për qytetarët dhe vendin, për t’u mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Njëkohësisht, institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre.

Raportimet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit do të mbahen të dielën, më 23 prill.

Advertisement