Kosova
Zgjidhje radikale për Kosovën? Analisti serb: E rrezikshme
Komentatori i politikës së jashtme Miroslav Stojanoviç beson se në mesin e faktorëve kryesorë politikë në Serbi, në lidhje me Kosovën, ekziston një lloj konsensusi, të paktën i heshtur, por që nuk është shumë i dukshëm sepse, siç theksoi ai, palët vlerësojnë sesa pikë për këtë çështje mund të sjellë elektorati duke vlerësuar qëndrimet e tyre
Stojanoviç nuk pret që asnjë parti në fushatën për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit në Serbi, siç tha ai, të “kafshojë mollën e thartë që nënkupton deklarata se Kosova është krahinë dhe duhet të mbetet pjesë e Serbisë”.
“Me sa di unë, asnjëra nga palët në Serbi nuk ka qenë në favor të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Megjithatë, ka dallime në lidhje me mënyrën e avokimit të interesave të Serbisë në lidhje me çështjen. Deklaratat radikale mund të sjellin vështirësi në dialogun me komunitetin ndërkombëtar. Prandaj po përdoret taktika apo aftësia politike e blerjes së kohës, e cila deri më tani ka qenë mjaft e suksesshme” – tha Stojanoviç, duke shtuar se kjo ka mundësuar që një numër i madh i shteteve që mund ta kenë pranuar lehtë pavarësinë e Kosovës nën presionin e mbështetësve të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, tani po i tërheqin këto njohje, gjë që, siç tha Stojanoviq, është shumë e rëndësishme.
Duke kujtuar përpjekjet në periudhën paraprake për të arritur një konsensus për këtë temë kyçe kombëtare përmes dialogut të brendshëm dhe seancave të veçanta të parlamentit serb, Stojanoviç tha se ndoshta jo të gjitha situatat ishin pjekur në atë kohë, se ka patur shumë shkëndija mes opozitës dhe qeverisë, jo për vetë temën e Kosovës.
“Askush në opozitë nuk u deklarua shprehimisht se Kosova është tjetërsuar në shtet të pavarur dhe historia ka përfunduar” – theksoi Stojanoviç.