Sport
Zgjodhi numrin 32 si David Beckham, Milani zyrtarizon Kyle Walker
“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë se ka siguruar, në formë të përkohshme me opsion për blerje përfundimtare, shërbimet sportive të lojtarit Kyle Andrew Walker nga Manchester City FC. I lindur në Sheffield (Angli) më 28 maj 1990, Kyle u rrit në akademinë e të rinjve të Sheffield United, për të kaluar më pas te Tottenham-i, ku debutoi në Premier League në mars 2010.
Në verën e vitit 2017, ai u transferua te Manchester City, me të cilët zhvilloi 319 ndeshje dhe fitoi 17 trofe, përfshirë 6 tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve në 2023. Kyle debutoi në nëntor të vitit 2011 me kombëtaren angleze, me të cilën ka 93 paraqitje. Walker do të mbajë fanellën me numrin 32 te Milani,” shkruhet në deklaratën e klubit kuqezi.
Walker pritet të jetë në tribunë të dielën në “San Siro” gjatë ndeshjes së Milanit kundër Parmës, për t’u vënë më pas në dispozicion të trajnerit Conceiçao për derbin. Prezantimi i mbrojtësit anglez është planifikuar për të hënën.
“Zgjodha numrin 32 si Beckham”
“Tammy (Abraham) më tha që duhet të vija dhe më ndihmoi të merrja vendimin. Tifozët këtu janë të jashtëzakonshëm; t’i dëgjosh duke kënduar dhe duke dhënë mbështetjen e tyre do të thotë shumë dhe do të jetë një shtysë e madhe deri në fund të sezonit,” ishin fjalët e para të Walker për Milan TV. Për numrin e fanellës, ai tha: “Zgjodha numrin 32 për David Beckham, një ikonë në vendin tonë.”