Connect with us

Aktualitet

Zhdukja e Fatmir dhe Leonard Thodhorit, dyshohet se janë groposur

Forca të shumta policie janë nisur drejt Vrinës së Konispolit, aty ku dyshohet se janë groposur Fatmir Sulovari dhe Leonard Thodhori pas ekzekutimit.

Leonard Thodhori, i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, rezultojnë të zhdukur prej 18 ditësh dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tyre. Sipas burimeve të Report Tv, policia dyshon se ata janë ekzekutuar dhe më pas groposur në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol. Prej orëve të mëngjesit, rreth 50 familjarë të Fatmir Sulovarit, 46 vjeç, janë nisur drejt kësaj zone për ta krehur fizikisht dhe me mjete logjistike me qëllim gjetjen e trupave. Familjarët mendojnë se policia nuk po vepron prandaj kanë nisur kërkimet vetë.

Policia po heton disa pista për këtë ngjarje, motivi kryesor mendohet të jetë shit-blerja e një toke, por nuk përjashtohet as pista për të kaluarën e tyre, pasi të dy janë persona me precedentë për çështje narkotikësh. Burimet policore tregohen shumë të rezervuara në dhënien e informacioneve, megjithatë është mësuar se personat e shoqëruar prej 48 orësh janë me precedentë penalë, disa madje edhe të arrestuar dy vitet e fundit nga policia e Sarandës për vepra të rënda por të liruar më pas nga Gjykata e këtij qyteti. Ende nuk ka informacion nëse ndaj tyre ka ndonjë masë arresti.

Autorët e dyshuar janë kujdesur të fshehin provat mirë, pasi një prej 8 automjeteve të sekuestruara për verifikim, rezulton që ka pasur disqet e gomave të lyera për kamuflim. Mungesa e provave konkrete, por kryesisht e trupave, mendohet se është arsyeja pse policia nuk po e konkludon operacionin me arreste. Megjithatë para Komisariatit të Sarandës është vënë re në orët e para të mëngjesit një sasi e konsiderueshme efektivësh e automjetesh, ndoshta për te rinisur operacionin qe prej disa ditësh po zhvillohet në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Vlorës.

Ndërkohë në një magazinë në afërsi te fshatit Nivicë të Bashkisë, Himarë është gjetur i fshehur një automjet tip “Mercedes-Benz” që mendohet se është mjeti me të cilin janë rrëmbyer Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.  Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan. Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet qe targat e mjetit janë greke të vjedhura në Lezhë.

Kush janë të zhdukurit?
Leonard Theodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

Advertisement