Aktualitet
Zjarr në Dimal, digjen rreth 400 rrënjë ullinj
Një zjarr ka rënë pasditen e sotme në fshatin Bistrovicë në Dimal. Zjarri ka rënë në pjesën e zonës kodrinore, e gjitha e mbjellë me ullinj.
Si pasojë e temperaturave të larta dhe erës së lehtë zjarri u përhap me shpejtësi drejt pemtarive, duke djegur rreth 400 rrënjë ullinj.
Edhe pse shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur në kohë, mungesa e rrugës e ka bërë të pamundur hyrjen e tyre në afërsi të territorit të zjarrit.
Kjo ka bërë që zjarrfikësit t’i afrohen zjarrit në këmbë dhe ta shuajnë atë me mjete rrethanore. Për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së sasisë së mjaftueshme të ujit, disa vatra zjarri vijojnë ende të jenë aktive. Banorët shprehen se nuk ka asnjë rrugë drejt zonës kodrinore me pemtari dhe kjo ka bërë që mjetet e mëdha zjarrfikëse të ngelen disa kilometra larg zjarrit.