Aktualitet
Zjarret e qëllimshme në vend/ Rikthehen flakët në Finiq, rrezikojnë banesat

Edhe pse reshjet e shiut gjatë natës kanë ndihmuar në shuarjen e zjarreve, një vatër e re zjarri është shfaqur këtë të premte ndërmjet fshatrave Dermish dhe Rumanxa në bashkinë Finiq.
Kjo vatër e re përbën rrezik për banorët pasi flakvt kanë drejtim për nga fshati Rumanxa. Ministria e Mbrojtjes ka nisur dy helikopterë në orët e pasdites në Selenicë dhe në Finiq për shuarjen e flakëve, ndërkohë që në njoftimin e saj thuhet se këto zjarre jo vetëm janë të qëllimshme, por prapa tyre qëndron një grup kriminal referuar vatrave të zjarrit që u ndezën papritur në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë.
“Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri”, njoftoi ministria.
Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura u angazhuan menjëherë duke mos lejuar përhapjen e flakëve afër banesave, por reshjet e shiut ishin ato që shpëtuan banorët. Po ashtu raportohet të jenë shuar sot edhe vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe fsahtit Vajzë. Raportohet për një vatër të vogël zjarri në fshatin Mavrovë
Ndërkohë policia thotë se ka arrestuar 43-vjeçarin Elvis Bylyshi në Selenicë, pasi ndezi zjarr qëllimisht në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër” pas konfliktit me bashkëfshatarin duke djegur një sipërfaqe me ullinj dhe rrezikuar bagëti të imta.

