Politike
‘Zmadhim aorte dhe diabet’/ Gjici kërkon lirimin nga qelia
Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici ka kërkuar lirimin nga qelia. Sot në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Elbasanit, Gjici kërkoi lirinë duke u ankuar për gjendjen e tij shëndetësore. Avokati i tij pretendoi para trupës gjykuese se klienti i tij vuante nga një zmadhin i aortës dhe diabet të formës së rënduar. Po sipas avokatit, ish-kryebashkiaku i ka vuajtur edhe më herët nga këto sëmundje, por gjendja psikologjike ia ka rënduar simptomat.
Ndërkohë Gjykata e Elbasanit vendosi thirrjen e ekspertëve mjeko-ligjorë që do të verifikojnë gjendjen shëndetësore të Gjicit, i cili kërkon që dënimin ta vuajë në shtëpi. Seanca e radhës ku ekspertët mjekoligjorë do të paraqiten në gjykatë për të marrë udhëzimet nga togat e zeza, është caktuar më 14 nëntor, në orën 11:45.
Safet Gjici u dënua më datë 7 shkurt të këtij viti nga shkalla e parë me 3 vite burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar në 2 vite, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Safet Gjici u vu në pranga fillimisht i akuzuar për “korrupsion pasiv”, pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.