Kosova
Zoti vë dorë mbi Kosovë/ Mëkati që zgjidh çështjen e antarësimit
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, tha se çështja e kthimit të pronave te Manastiri i Deçanit duhet parë ekskluzivisht si çështje teknike, sepse bëhet fjalë për sundimin e ligjit.
“Është një çështje që nuk ka kuptim të politizohet, çfarëdo që të mendojnë politikanët për të. Është një vendim përfundimtar dhe, faktikisht, kur flasim për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, është një lloj kushti i drejtpërdrejtë” – ka thënë Weber për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se çështja e Manastirit të Deçanit përmendet si pengesë edhe në raportet e ekspertëve dhe deputetëve në Këshillin e Evropës.
‘Do të ishte një shenjë pozitive’, -shton Weber- ‘nëse Qeveria e Kosovës do ta zgjidhte tani çështjen e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit ortodoks.
“Paskësaj do të ishte vërtet e vështirë për shtetet anëtare, veçanërisht ato që mbështesin Kosovën e pavarur, të mos votonin pozitivisht për aplikimin e Kosovës. Është e vështirë të parashikohet se cili do të ishte rezultati i votimit në këtë kontekst, kur kemi bllokim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, Kosova sigurisht që do ta përmirësonte pozicionin e saj nëse më në fund do zbatonte vendimin për Manastirin e Deçanit” – theksoi Weber, i cili nuk e përjashton mundësinë që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës të mos e bazojnë vendimin e tyre për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, vetëm në kushte teknike, por në “motivimin politik” – potencoi bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.
Kujtojmë se Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi në fillim të shkurtit se lëvizjet e njëanshme të Kosovës, po kufizojnë mundësitë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të lobojnë për Kosovën në skenën ndërkombëtare.
DASH reagoi kështu pasi Qeveria e Kosovës i shpërfilli thirrjet e shteteve perëndimore për pezullimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e heq dinarin serb nga qarkullimi.
Bashkësia ndërkombëtare mendon se kjo rregullore ndikon negativisht te komuniteti serb në Kosovë, i cili merr të ardhura nga buxheti i Serbisë