Sport
ZYRTARE/ Partizani firmos me trajnerin e ri
Partizani ka zyrtarizuar akordin me Zoran Zekic. Klubi i kuq dhe trajneri kroat kanë nënshkruar një marrëveshje dhe tashmë ka ardhur edhe njoftimi zyrtar.
49-vjeçari i lindur në Osijek ka drejtuar së fundmi Slaven Belupo në Kroaci, ndërsa nuk mund të lihet pa përmendur eksperienca moldave me Sheriff Tiraspol.
Klubi i Partizanit ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik dhe synimi i vetëm është mbrojtja e titullit kampion. Natyrisht, fokusi do jetë edhe nga merkato, ku do kërkohet të afrohen elementë cilësorë, të aftë për të përballuar të gjitha kompeticionet.
“FK Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Zoran Zekiç. 49 vjeçari nga Kroacia, i cili do të drejtoj kampionët e Shqipërisë në sezonin e ri 2023-2024, është prezantuar sot nga presidenti Gazment Demi dhe drejtori sportiv Arbër Abilaliaj. Në sezonin e fundit Zekiç ishte pjesë e ekipit Slaven Belupo, ndërsa përgjatë karrierës si trajner ai regjistron edhe eksperienca në drejtimin e Sheriff Tiraspol, Osijek, Diośgyőr dhe Maksimir. Zekiç vjen në drejtimin e 17-të herë kampionëve të Shqipërisë për të nisur një projekt ambicioz dhe fitues. Sot skuadra nis zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik” – Shkruan klubi.