Connect with us

Kosova

Zyrtarja e OSBE, spiunazh në favor të Serbisë kundër Kosovës/ Aktakuza në Prishtinë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarës serbe, Jelena Gjukanoviç, ish-zyrtare në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit. Ajo ishte arrestuar më 28 shkurt 2025 në pikën kufitare të Jarinjës.

Gjatë periudhës përpara arrestimit, sipas prokurorisë, ajo ka shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA). Gjukanoviç ka marrë udhëzime nga i dënuari serb për spiunazh, Aleksandar Vllajiç, duke kontribuuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Kosovës, dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së.

Vllajiç ishte arrestuar në qershor 2024 nga autoritetet në Kosovë, nën dyshimin se ishte përfshirë në aktivitete spiunazhi në shërbim të BIA-s. Ai kishte mbledhur dhe dërguar informacione në Serbi, duke cenuar rëndë rendin kushtetues të Kosovës. Ai është personi i parë që merr dënim për spiunazh që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Ndryshe, autoritetet kosovare të sigurisë kanë intensifikuar veprimet për identifikimin dhe ndëshkimin e veprimtarive që cenojnë sigurinë kombëtare. Në muajt e fundit, janë zhvilluar bastisje, sekuestrime dhe arrestime në kuadër të hetimeve për spiunazh.

Advertisement