Connect with us

Aktualitet

15 vjeçarja tentoi t’i jepte fund jetës/ Babai: Edhe djalin e bullizojnë, do i heq nga shkolla

Tenda e një ballkoni shmangi një tragjedi në qytetin e Sarandës, por zbuloi edhe një tjetër histori bullizmi në shkolla e gjimnaze.

Një 15-vjeçare gjimnaziste tentoi t’i japë fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i katit të katërt të banesës së saj, pasi la përgjysmë festën e ditëlindjes së vëllait të saj.

Fatmirësisht tenda e ballkonit të një kati më poshtë zbuti goditjen dhe e mitura mori vetëm dëmtime të lehta.

Babai i saj Arben Cërriku tregoi se gjimnazistja para se të ndërmerrte aktin e rëndë kishte treguar se ishte pre e bullizmit.

“Vjen nga shkolla rreth orës 1 e gjysmë dhe i tregon të vëllait që një vajzë në klasë bashkë me shokun e ofendonte. I vëllai i thotë do t’i zgjidhim… Ndodhi e papritura! Nusja dëgjoi një zhurmë dhe del në ballkon shikon vajzën, aty mendova se mbaroi çdo gjë”.

Kryefamiljari baba i tre fëmijëve thotë se është i divorcuar, por drama në familjen e tij është edhe më e madhe, pasi edhe djali nuk shkon në shkollë për shkak të bullizimit.

“Ajo kishte arsye të tjera me sa shoh unë. Shkonte në shkollë as buke nuk hante. Djalin e vogël e kam pa shkollë për arsye bullizimi. Fëmijët jetojnë me nënën. Mendoj që do ta heq fare vajzën nga shkolla për arsye bullizimi…”, tha babai.

Një bashkëmoshatare pohoi shqetësimet e vazhdueshme që kishte pasur 15-vjecarja në klasë: “Bullizimi shfaqet në veshje, në pamjen e fytyrës. Unë i thashë ti je më e mira nuk duhet t’i vesh të tjerët përpara. Është e mbyllur në vetvete, por e kam bërë që të flasë e shoqërohet me shoqet por nuk e dija që do shkonte deri këtu.”

E mitura u transportua me urgjencë drejt Spitalit në Sarandë dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ky episod ka ngritur sërish alarmin mbi fenomenin e bullizmit tek të rinjtë dhe pasojat dramatike që ai mund të shkaktojë. Autoritetet po vijojnë hetimet mbi rrethanat që çuan vajzën drejt këtij veprimi ekstrem.

Advertisement