Connect with us

Bota

24 viktima dhe 65 mijë njerëz u evakuuan/ Vendet e Mesdheut në luftë me flakët

Vendet e Mesdheut po përballen me vatra zjarresh që po djegin mijëra hektarë pyje, shtëpi dhe po marrin jetë njerëzish dhe kafshësh.

Temperaturat e larta, ndikuar edhe nga ndryshimet klimatike, kanë shkaktuar zjarre të mëdha, të vështira për të neutralizuar nga ekipet zjarrfikëse në Turqi, Greqi, Spanjë, Itali, Francë, Qipro dhe Bullgari. Deri më tani kanë humbur jetën 24 persona, ndërsa janë evakuuar mbi 65.000 njerëz në të gjithë rajonin.

Mbi 50.000 persona janë evakuuar që nga muaji qershor, si pasojë e zjarreve në Izmir dhe në zonat përreth në Turqi. Pesë zjarrfikës dhe pesë anëtarë të ekipeve të shpëtimit kanë humbur jetën në Seyitgazi e Eskişehir.

Një person i moshuar humbi jetën në Keratea të Greqisë. Ndërkohë, mijëra persona, përfshirë turistë u evakuuan në Chios, Kreta, Attica, Evia, Kythira dhe Messenia.

Një zjarrfikës vullnetar humbi jetën gjatë operacioneve në Castile të Spanjës, ku u evakuuan më shumë se 5.000 persona. Vatra me intensitet të lartë ka pasur në Castile y León, Galicia dhe Madrid.

Edhe Parku Kombëtar i Vezuvit në Napoli u përball me një situatë të pazakontë, teksa zjarret larguan nga vendi edhe turistët.

Advertisement