Aktualitet
25 denoncime nga publiku për prokurorin, SHKARKOHET
Një tjetër prokuror largohet nga detyra prej vettingut. Prokurori Julian Xhengo është shkarkuar nga trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për probleme me pasurinë si dhe pastërtinë e figurës, pasi DSIK ka hartuar raport negativ për prokurorin.
25 denoncime nga publiku për prokurorin ndërsa KPK ka konstatuar dhe zvarritje të hetimeve
….
TIRANË– Prokurori i Tiranës, Julian Xhengo është shkarkuar nga detyra. Vendimi është marrë ditën e sotme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Xhengo është shkarkuar pas problemeve të rezultuara me pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Ndaj Xhengos janë bërë 25 denoncime nga publiku ndërsa KPK ka konstatuar dhe zvarritje të hetimeve.
Më 9 shtator, Xhengo u përball me KPK-në ku dha shpjegime mbi pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Gjatë asaj seance dëgjimore, Xhengo u përball me një bilanc negativ të prindërve në investimet e kryera në një shtëpi private në Tiranë si dhe me mospërputhjet në transaksionet për blerjen e një makine, thuajse dy herë më lirë nga sa e kishte blerë pala shitëse.
Julian Xhengo përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe punoi fillimisht në prokurorinë e Vlorës dhe atë të Fierit. Prej vitit 2008, Xhengo ushtronte funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.