Connect with us

Kronike

25 vjeçaren e vranë? Të afërmit e Xhuanës ngrenë dyshime: Kush e shkroi letrën?

Kushërira e 25-vjeçares Xhuana Nikolli, ka folur për herë të parë publikisht duke ngritur dyshime mbi rrethanat e vdekjes së saj. Në një lidhje për emisionin “Shqipëria Live”, Mira Nikolli ndau disa detaje nga jeta e të resë dhe situata që, sipas familjarëve, ajo kishte përjetuar pas martesës.

Sipas saj, Xhuana ishte rritur në një familje të thjeshtë që kishte bërë shumë sakrifica për të rritur katër vajzat. Ajo ishte e arsimuar dhe kishte përfunduar studimet në drejtësi, ndërsa më herët kishte punuar në një zyrë noterie në Lezhë.

Kushërira tregoi se martesa e Xhuanës kishte zgjatur vetëm tre muaj dhe se çifti kishte jetuar në një ambient të tensionuar. Sipas saj, ndarja ishte bërë me mirëkuptim mes familjeve dhe pa kundërshtime, ndërsa familjarët e kishin mbështetur vajzën për t’u larguar nga ajo marrëdhënie.

Mira Nikolli tha se Xhuana kishte hasur probleme jo vetëm me bashkëshortin, por edhe me familjen e tij. Ajo pretendon se burri ishte shumë i ndikuar nga nëna e tij dhe se konfliktet u përkeqësuan kur e reja kërkoi të jetonin të ndarë nga prindërit e tij. Sipas familjarëve, në atë periudhë ndaj saj ishte ushtruar presion dhe dyshohet edhe për dhunë.

Kushërira e të ndjerës theksoi se Xhuana po përpiqej të niste një jetë të re në Tiranë dhe se ishte optimiste për të ardhmen. Sipas saj, në mëngjesin e ditës së ngjarjes ajo kishte folur me nënën dhe ishte shprehur e lumtur për punën e re që kishte nisur.

“Xhuana u rrit në këtë familje të thjeshtë, që i rritën katër vajzat me sakrifica dhe djersën e ballit. Ajo ishte e shkolluar, kishte bërë shkollën për juridik. Në gjimnaz pari fatkeqësinë të njohë njeriun e gabuar, e këtë e mësoi pas martesës, e cila zgjati vetëm tre muaj. Çifti jetonte në një ambient toksik dhe vendosën të ndaheshin. Familja e mbështeti këtë dhe e tërhoqën vajzën nga shtëpia e djalit, nuk hasën rezistencë, ndarja u bë me mirëkuptim. Xhuana punonte në një zyrë noterie në Lezhë.

Erdhi në Tiranë për një jetë të re. U martua dhe hasi probleme, kishte probleme jo vetëm me burrin por edhe me vjehërrinë. Burri ishte shumë i ndikuar nga nëna, Xhuana i ka kërkuar të ndaheshin nga shtëpia, të jetonin bashkë. Burri siç duket ishte shumë I ndikuar nga nëna, kur i ka kërkuar të jetonin bashkë e ëma e djalit nuk dëgjoi, ushtronte presion mbi djalin e kishte nën kontroll. Aty më pas u përball me dhunën e vjehrrës, me të thënë e kam se unë nuk kam qenë aty.

Unë di që janë gjetur shenja dhune dhe lindin pyetje çfarë e çon një vajzë 25 vjeçe drejt këtij veprimi, po niste një jetë të re, ishte shumë e kënaqur. E di që ka folur me mamanë e saj në mëngjes, ishte e lumtur për punën e re. Në mbrëmje do të festonin ditëlindjen e nipit apo mbesës se nuk e mbaj mend tani, kishin organizuar me motrën një festë, kishte blerë edhe fustanin, pse duhet ta vriste veten pikërisht atë ditë? Atë që ka ndodhur e dinë vetëm ata të dy, dyshimet janë të shumta. Mjafton një letër që ka lënë të vërtetojë që ka lënë një letër? Kush e shkroi letrën? E shkroi me vullnetin e saj apo e shkroi dikush tjetër?”, tha kushërira e 25-vjeçares./

Advertisement