Aktualitet
25 vjet nga çlirimi i Prishtinës
Këtë të martë bëhen 25 vjet nga çlirimi i Prishtinës. Në këtë datë, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hynë në kryeqytet.
Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut në mes forcave të NATO-së dhe ushtrisë jugosllave.
Pas kësaj dakordance nisi edhe tërheqja e forcave serbe nga Kosova, derisa një ditë pas trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë.
Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999. Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua edhe kthimi në Kosovë e më shumë se 800 mijë refugjatëve.
Për 25 vjetorin e çlirimit të kryeqytetit, në Prishtinë pritej që vinte për vizite ish-administratori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner, por vizita e këtij të fundit u anulua.
“Vizita është anuluar për shkak të çështjeve logjistike të ndërlidhura me Dr. Kouchner. Posa të ricaktohet data e vizitës do t’ju informojmë në kohë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim për media të komunës së Prishtinës.
Sipas agjendës fillestare, ai më 12 qershor do t’i drejtohej Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne.
Po ashtu, Kouchner kishte në plan të takohej me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ndërsa kryetari i Prishtinës, Pëparim Rama, planifikonte t’i dorëzonte “Çelësin e Qytetit” dhe pritej të zbulohej edhe një pllakë e një rruge të emërtuar me emrin e tij.