Connect with us

Aktualitet

550 mijë euro/ Ekspertim kontabël për vlerësimin e pasurisë së Klosit

Pasuritë e zyrtares Alda Klosi do t’i nënshtrohen një ekspertize kontabël, me kërkesë të prokurorit që po merret me çështjen e saj. E gjitha për të verifikuar të ardhurat me shpenzimet e saj, e për të zbuluar nëse mund që të justifikojë pasuritë që ka mbledhur ndër vite. Një eksperte kontabël është caktuar nga prokurorja Mirela Zavalani, duke kërkuar që përmes akteve hetimore që ndodhen në dosjen penale ndaj Alda Klosit, ekspertja të nxjerrë vlerën reale të pasurisë së Klosit dhe ish-bashkëshortit të saj, Altin Klosi.

Të gjitha deklaratat e pasurisë të dorëzuara nga Alda Klosi, ndërsa qëllimi i prokurorisë së kryeqytetit, për nisjen e hetimit pasuror është për të zbuluar origjinën e parave të saj. Aktualisht Alda Klosi vijon të qëndrojë e izoluar në ambientet e Burgut të Grave në Tiranë edhe pse ka kërkuar disa herë që të lirohet për t’u kujdesur për prindërit e moshuar dhe me djalin e mitur që ka mbetur vetëm.

Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit ka marrë një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove, burimi i të cilave nuk dihet. Këto para edhe pse kanë kaluar 2 javë që prej zbulimit të vjedhjes, nuk dihet se ku i ka gjetur Alda Klosi. Ajo po hetohet gjithashtu nga prokuroria.

Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri.

Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në Polici. Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë disa javë më parë në SHBA, ku edhe po kurohej. Megjithatë duket se as i ndjeri nuk i justifikonte dot paratë, pasi e mbesa është vendosur në pranga.

Advertisement