Kronike
6 diplomatë rus Non-grata
Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka njoftuar se ka shpallur non-grata, gjashtë diplomatë rus të akredituar në Podgoricë. Në postimin e tyre në Twitter thuhet se ata shpallen non-grata “për shkak të veprimtarive që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike”
Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, deklaroi gjithashtu se autoritetet po bëjnë arrestimin më të madh të spiunëve të dyshuar rusë në Mal të Zi. Sipas tij, dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë dhe aksioni po vazhdon ende. Duke marrë parasysh madhësinë e territorit dhe popullsisë së Malit të Zi, ky është një nga aksionet më të mëdha të arrestimit në vendet e NATO-s.
Sipas informacioneve jozyrtare, në aksionin e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Prokurorisë Speciale të shtetit, në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas malazezë, përfshirë edhe një zyrtar të administratës shtetërore, si dhe disa shtetas rusë.
Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e ka mirëpritur veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar që po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka për qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”.
Kujtojmë se Agjencia për Siguri Kombëtare ka njoftuar më parë, jozyrtarisht, se shërbimet ruse kanë qenë mbrapa një sulmi të fuqishëm kibernetik që ka çaktivizuar infrastrukturën shtetërore të teknologjisë informative, në fund të gushtit të këtij viti.
https://www.youtube.com/watch?v=QKTYecQahPs