OPINION
Zjarret masive/ Dervishi: Po pse shtyhen flakët vetëm me shkopinj apo po bëni magji?
Nga Lutfi Dervishi
Ditët përvëluese që po kalojmë ku vatrat e zjarrit shkretojnë çfarë i del përpara, e bënë Kikon të nxitojë drejt frontit të betejës për të dhënë kontributin e tij në mposhtjen e flakëve.
Po të mos ishin gjithë këto pyje orbitale, do ta kishin keq shqiptarët mes kësaj vape, gjykoi Kiko teksa hidhej nga dega më degë drejt vatrave të zjarrit.
Pamja e parë nuk ishte shumë optimiste. Kur pa zjarrfikësit që pos silleshin rrotull zjarrit me fshesa dhe shkopinj Kiko mendoi se bëhej fjalë për ndonjë shfaqje baleti: “Zjarri dhe shkopinjtë”.
Sakaq,me t’u afruar pa nga afër zjarrfikës të djersitur që luftonin me shkopinj e me gurë siç bënin dikur luftëtarët e Skënderbeut që u zinin prita ushtarëve turq.
-Mos ka nisur Lufta Botërore? Lufta e I Botërore ka nisur në Ballkan, Lufta e II në Europë, e Treta gati në Ukrainë dhe e katërta këtu në Shqipëri”, mendoi Kiko ku mendimet e këqija e kishin pushtuar.
“Nuk e di çfarë armësh do të përdoren në Luftën e 3-të Botëror, por jam i sigurtë se katërta do të luftohet me shkopinj dhe gurë”, kjo thënie Ajnshtajnit e drodhi Kikon.
-Po t’i ç’kërkon këtu a i vrarë?!,- e pyeti një zjarrfikës nga Vlora.
-Po ju çfarë bëni me këto shkopinj dhe gurë?!- ia ktheu Kiko.
-Jemi në krye të detyrës.
– Cila është detyra që keni ju?- pyeti Kiko pa e menduar se përgjigja do ta trondiste më shumë se zjarri që kishte përballë.
-Nuk i ke sytë në ballë, po yshtim flakët që të largohen nga vatrat tona amtare. Kemi marrë detyrë që t’i shtyjmë deri në ujërat ndërkombëtare të Adriatikut dhe Jonit.
-Po pse shtyhen flakët vetëm me shkopinj apo po bëni magji? – pyeti Kiko ndërsa po fshinte disa bulëza djerse në ballë.
-Nuk sheh a i vrarë që kemi me vete fjalën e fundit të teknologjisë, kemi gurë, hunj, shkopinj, purteka, thupra, shqopa…
-Me drapër, kazma, shata e lopata ndërtuan socializmin, me hunj, dhe purteka po përparojnë në kapitalizëm…. Kiko u tremb se mos zjarrëfikësi i dëgjoi këto fjalë, ndaj u përpoq t’i jepte drejtim tjetër bisedës.
Më kërkojnë këto miqtë e mi policë një emër të koduar për këtë operacion?
-Zdapi UAN, dhe mos më bëj të zgjuarin mua se kemi edhe “shkopa bejsbolli” këtu- u përgjigj zjarrëfikësi vlonjat dhe para se të largohej i tha disa komplimenta në adresë të motrës së Kikos.
Nuk kam motër- mërmëriti Kiko, unë e dija se në këtë vend e ka marrë ferra uratën, por e paskam qenë gabim; uratën këtu e paska marrë edhe flaka!