Politike
Çfarë ndodhi me tenderat 210 milionë €? SPAK reagon për çështjen Balluku
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme, ku është njohur zyrtarisht me akuzën që lidhet me disa procedura prokurimi të cilat janë nën hetim.
SPAK bëri të ditur përmes një reagimi zyrtar se Balluku është thirrur për t’u njohur me akuzën, për t’u pyetur lidhur me çështjen dhe për t’i komunikuar edhe akte të tjera procedurale.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimi lidhet me procedura prokurimi për projekte me vlerë të konsiderueshme financiare. Në fokus është tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 190 milionë euro, ndërsa hetimet shtrihen edhe mbi tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, me vlerë rreth 20 milionë euro.
SPAK dyshon se gjatë këtyre procedurave fituesit mund të jenë paracaktuar përmes ndërhyrjeve dhe ndikimit në faza të ndryshme të procesit të garës. Për të dy tenderët, vlera totale e të cilëve shkon në rreth 210 milionë euro, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për të sqaruar përgjegjësitë penale.
“Në përgjigje të kërkesave tuaja, znj. Belinda Balluku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën, e cila lidhet me disa procedura prokurimi, objekt hetimi; për t’u pyetur lidhur me akuzat, si edhe për t’i komunikuar akte të tjera procedurale”, thuhet në reagimin e SPAK.
Balluku, e cila ka mbajtur postin e zëvendëskryeministres dhe ministre së Infrastrukturës dhe Energjisë, është një nga zyrtarët më të lartë të qeverisë që përballet me një hetim të SPAK. Deri në këtë fazë, çështja vijon të jetë nën hetim dhe çdo përgjegjësi do të përcaktohet nga vendimi përfundimtar i organeve të drejtësisë.