Connect with us

Kronike

Artan Hoxha: Korriku dhe gushti janë muajt më të rrezikshëm, atentatorët shfrytëzojnë pushimet e objektivave

Gazetari investigativ Artan Hoxha, në intervistën me gazetarin Flamur Vezaj, ka analizuar atentatet e fundit mafioze dhe arsyet pse periudha e verës konsiderohet ndër më problematiket për ngjarjet kriminale në Shqipëri.

I pyetur për përdorimin e armëve automatike, armëve me precizion dhe formave të tjera të sofistikuara të ekzekutimit, Hoxha deklaroi se korriku dhe gushti historikisht kanë shënuar një shtim të aktivitetit të grupeve kriminale.

Sipas tij, dy periudhat më të vështira të vitit janë sezoni veror dhe fundi i dhjetorit. Gjatë verës kthehen në Shqipëri shumë persona që jetojnë ose zhvillojnë aktivitet jashtë vendit, ndërsa në fundvit kthimet lidhen kryesisht me festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Por, sipas Hoxhës, problemi nuk lidhet vetëm me kthimin e personave nga jashtë. Gjatë pushimeve, edhe individët e përfshirë në konflikte kriminale tentojnë të kalojnë kohë me familjet dhe fëmijët, duke ulur masat e zakonshme të sigurisë.

Në këto momente, kundërshtarët e tyre përpiqen të depërtojnë mes fluksit të madh të qytetarëve dhe turistëve, duke pritur momentin kur objektivi humbet vigjilencën.

Kur një person udhëton me familjen, sipas gazetarit investigativ, e ka më të vështirë të lëvizë vazhdimisht me automjete të blinduara apo me masa të forta sigurie. Pikërisht këtë situatë kërkojnë të shfrytëzojnë atentatorët.

Hoxha solli si shembull edhe raste kur persona të njohur për lidhje me botën e krimit janë fotografuar duke pushuar në zona që i konsideronin më të sigurta.

Sipas tij, autorët studiojnë vendet ku objektivat pushojnë, personat që i shoqërojnë dhe momentet kur ndodhen pranë familjarëve, për të gjetur mundësinë më të favorshme për t’i goditur.

Megjithëse Policia e Shtetit shton masat e sigurisë gjatë sezonit veror dhe festave të fundvitit, Hoxha tha se, statistikisht, këto periudha vijojnë të kenë intensitet të lartë të ngjarjeve kriminale.

Ai nënvizoi se numri i vrasjeve nuk është rritur krahasuar me periudhat e mëparshme, por përkundrazi ka rënë. Sipas tij, kjo lidhet me një lloj “status quo-je” të krijuar mes grupeve të fuqishme kriminale.

Megjithatë, atentatet e fundit duhet të konsiderohen si mesazhe paralajmëruese. Hoxha theksoi se eliminimi i personave të rëndësishëm të një grupi mund të paraprijë një zinxhir hakmarrjesh dhe përplasjesh të rënda.

Sipas tij, grupet që kontrollojnë territore dhe interesa të mëdha ekonomike përdorin atentatet jo vetëm për të eliminuar kundërshtarët, por edhe për të paralajmëruar se çfarë mund të ndodhë më pas.

 

Advertisement