Bota
Izraeli përshkallëzon sulmet ndaj Bejrutit: Goditëm “qendrën komanduese” të Hezbollahut
Luftimet u ndezën në dy fronte të dielën, ndërsa Izraeli vuri në shënjestër atë që tha se ishte “qendra komanduese” e Hezbollahut në kryeqytetin libanez. Ndërkohë në Gazë autoritetet njoftuan se 73 persona ishin vrarë si pasojë e një sulmi të vetëm ajror izraelit.
Sulmet në bastionin jugor të Hezbollahut, Bejrut, vijnë ndërsa Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi grupin e mbështetur nga Irani se tentoi ta vriste, duke iu referuar sulmit një ditë më parë me dron ndaj shtëpisë së tij.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit, NNA, tha se Izraeli goditi një ndërtesë banimi në Haret Hreik, që ndodhet pranë një xhamie dhe një spitali.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur një “qendër komanduese të Hezbollahut që përdorej për mbledhjen e informacionit të zbulimit” si dhe një vendndodhje nëntokësore armatimesh.
Zyrtarët izraelitë thanë gjithashtu se tre militantë të Hezbollahut ishin vrarë gjatë sulmeve në pjesë të tjera të Libanit.
Më vonë gjatë ditës rreth 70 predha u lëshuan nga territori libanez në drejtim të Izraelit, disa prej të cilave u interceptuan.
Ndërkohë, Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gazë tha se si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një zonë të banuar në veri të rajonit, u vranë të paktën 73 palestinezë.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur një “objektiv terrorist të Hamasit” duke shtuar se shifrat mbi viktimat ofruar nga autoritetet në Gazë “nuk përputhen” me informacionin që ajo kishte.
Hamasi dhe Hezbollahu janë cilësuar si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe të tjera vende.
Ushtria izraelite vazhdoi ofensivën e saj si në Gazë ashtu edhe në Liban, ku tha se forcat e saj kishin “goditur rreth 175 objektiva terroriste”.
Po kështu zyrtarët izraelitë thanë se po vazhdojnë operacionet në pjesët veriore, qendrore dhe jugore të Gazës.
“Trupat eliminuan me dhjetëra terroristë gjatë operacioneve në tokë si dhe sulmeve ajrore në të gjithë Gazën”.