Connect with us

Rajon

Rrahje brutale/ Turistët izraelitë dhunohet barbarisht, njëri përfundon me nofull të thyer

Një grup turistësh izraelitë është sulmuar brutalisht nga më shumë se 10 të rinj në qytetin bregdetar të Budvës, në Mal të Zi.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, ndërsa një prej viktimave ka rrëfyer për televizionin publik izraelit KAN News momentet e dhunës, duke e përshkruar sulmin si të papritur dhe pa asnjë shkak të dukshëm.
Sipas dëshmisë së tij, grupi i të rinjve i ka ofenduar, i ka goditur me shkelma dhe u ka hedhur karrige. “Më shumë se 10 të rinj na shanë, na goditën dhe na sulmuan me objekte”, ka deklaruar një prej turistëve.
Nga sulmi, një anëtar i grupit ka pësuar thyerje të nofullës, ndërsa një tjetër ka humbur ndjenjat për shkak të dhunës së marrë. Viktimat kanë pretenduar se nuk kishin pasur asnjë konflikt më herët dhe se sulmi ishte i paprovokuar.
Budva, një nga zonat turistike më të frekuentuara të Malit të Zi, njihet për plazhet, jetën e natës dhe qytetin e vjetër historik. Destinacioni tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga vende të ndryshme, përfshirë edhe shumë turistë izraelitë gjatë sezonit veror.
Në vitet e fundit, interesimi i investitorëve izraelitë në sektorin e pasurive të paluajtshme në këtë zonë është rritur ndjeshëm.
Ky është incidenti i dytë i raportuar së fundmi ndaj turistëve izraelitë në Mal të Zi. Një rast tjetër u regjistrua në qytetin e Plavës, ku disa turistë u përballën me ngacmime dhe deklarata fyese nga një person, i cili i akuzoi për “vrasje fëmijësh” dhe për gjenocid.
Advertisement