Kosova
“Bota Serbe” është vazhdim i “Serbisë së Madhe”, pa shkëputje nga Rusia s’ka rrugë drejt BE-së
Profesori I Universitetit të Beogradit dhe ish-zëvendësministri i Shkencës në Serbi, Ivan Videnoviq, ka deklaruar se koncepti i “Botës Serbe” përfaqëson një rikthim ideologjik të projektit të “Serbisë së Madhe” të viteve 1990, duke vlerësuar se Serbia nuk mund të bëhet një partner i besueshëm për Bashkimin Evropian dhe fqinjët e saj pa u shkëputur përfundimisht nga kjo politikë dhe ndikimi rus.
Videnoviq e përshkroi Serbinë si një shtet që ndodhet në një periudhë të zgjatur paqëndrueshmërie dhe që qeveriset nga një “autokraci elektorale”, ku zgjedhjet mbahen, por konkurrenca e lirë politike është e pamundur.
Ai tha se protestat masive që shpërthyen pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, ishin reagim ndaj korrupsionit, marrëveshjeve të errëta dhe lidhjeve të pushtetit me interesa të caktuara ekonomike.
Sipas Videnoviqit, regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është ndërtuar mbi kultin e individit, ndërsa vendimet kryesore merren në mënyrë të centralizuar.
Duke komentuar protestat studentore, Videnoviq kritikoi mungesën e udhëheqësve të identifikueshëm, duke thënë se frika nga sulmet mediatike ka bërë që lëvizja të mbetet pa drejtim të qartë politik.
Profesori serb argumentoi se koncepti i “Botës Serbe” nuk është gjë tjetër veçse një vazhdim i projektit të “Serbisë së Madhe”, duke kujtuar se ish-presidenti Slobodan Millosheviq vazhdon të paraqitet pozitivisht në mediat pranë pushtetit, ndërsa ish-gjeneralët e dënuar nga Gjykata e Hagës shfaqen si analistë të rregullt.
Videnoviq u ndal edhe te raportet me Kosovën, duke vlerësuar se Serbia vazhdon ta kërcënojë Kosovën me retorikë ushtarake dhe se pavarësia e saj ishte rezultat i dështimit të Beogradit për t’i trajtuar shqiptarët si qytetarë të barabartë gjatë periudhës sa e administroi territorin.