Connect with us

Aktualitet

Lufta Izrael-Hamas/ OBSH: Fëmija 1-vjeçar nga Gaza evakuohet në Shqipëri për trajtim mjekësor

Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri ka njoftuar se mbrëmjen e kaluar, një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza ka marrë evakuimin mjekësor dhe është sjellë në Shqipëri për trajtim të specializuar. Në njoftim shkruhet se fëmija aktualisht ndodhet në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ku po merr kujdesin mjekësor të nevojshëm, ndërsa familja e tij, përfshirë babain, vëllain dhe motrën, janë akomoduar në një qendër refugjatësh në Babrru të Tiranës.

OBSH në Shqipëri ka ndarë pamje nga avakuimi i fëmijës, ndërsa ka vlerësuar kryeministrin Edi Rama dhe ministren Albana Koçiu, për mbështetjen e dhënë në këtë përpjekje, si dhe përfaqësues të tjerëtë institucioneve shqiptare, që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ndihme humanitare.

Njoftimi i plotë i OBSH në Shqipëri:

Mbrëmjen e kaluar u krye evakuimi mjekësor për ofrimin e kujdesit kritik në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza. Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës.

Një falenderim i madh për Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare. Mirënjohje Albana Koçiut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Skënder Bratajt, kreu i Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe zyrtarëve nga Ministria e Brendshme, për kontributet e tyre thelbësore. OBSH së bashku me partnerët mbështet koordinimin dhe fuqizimin e një mekanizmi standard, transparent të evakuimeve mjekësore.

Në aeroport, së bashku me zyrtarë të tjerë, për të pritur familjen ishte i pranishëm edhe Gazmend Bejtja, Oficer i ngarkuar i OBSH në Shqipëri.

Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare.

Advertisement