Kronike
Ko’kainë nga Brazili/ “Hektori” dhe Aliu pikë kyçe e trafikut, i ruheshim grupeve të tjera kriminale
Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK, vënë në dispozicion për redaksinë tonë, lidhur me organizatën kriminale të goditur për trafikimin e rreth 50 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.
Në kuadër të operacionit janë lëshuar 10 urdhër-arreste, por deri më tani është arrestuar vetëm Florjan Musaj. Ndërkohë, shtatë persona të tjerë, mes tyre Eldi Dizdari dhe Shpëtim Aliu, rezultojnë jashtë vendit.
Edhe pse Musaj nuk pranoi të fliste para gjykatës, bisedat e zbërthyera nga aplikacioni Sky ECC e nxjerrin atë si një nga drejtuesit kryesorë të trafikut të kokainës nga Brazili. I njohur edhe me nofkën “Hektori”, ai rezulton se bashkëpunonte ngushtë me Shpëtim Aliun dhe Salvatore Aliun, duke organizuar ngarkesat e drogës dhe duke u kujdesur që lidhjet mes tyre të mbeteshin të fshehta nga grupet e tjera kriminale.
Në komunikimet e zbardhura, Musaj flet me vetëbesim për fuqinë e grupit të tij, duke pretenduar se askush nuk punonte me ritmin dhe sasinë e tyre në Brazil. Sipas SPAK, përveç organizimit të trafikut, ai menaxhonte edhe qarkullimin e miliona eurove të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Hetimet tregojnë se paratë dërgoheshin në Ekuador për financimin e ngarkesave të reja të kokainës, ndërsa një pjesë transportohej në Shqipëri për investime. Vetëm nga një ngarkesë prej 1.2 tonësh kokainë, grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 38 milionë euro, pasi droga u shit në tregun europian me rreth 30 mijë euro për kilogram.
Dosja e SPAK hedh dritë mbi mënyrën se si funksiononte rrjeti, nga sigurimi i kokainës në Amerikën Latine deri te transferimi i fitimeve marramendëse përmes skemave informale financiare.