Connect with us

Bota

LUFTA/ IZRAELI PRANON PROPOZIMIN E TRUMP

Izraeli është bërë pjesë e armëpushimit dyjavor të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump vetëm një orë e gjysmë përpara afatit të vendosur për Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përndryshe do të përballej me sulme të përshkallëzuara ndaj infrastrukturës civile, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për CNN. Sipas këtij zyrtari, Izraeli ka rënë dakord të pezullojë sulmet.

Vetëm 1 orë e gjysmë para se të skadonte afati për ultimatumin që i kishte vënë Iranit, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një hap pas dhe deklaroi se do të pezullojë me dy javë bombardimet dhe sulmet, por me kushtin që Teherani të hapë menjëherë dhe në mënyrë të plotë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Tërheqja e Trump erdhi pas propozimit të Pakistanit, për të shtyrë me dy javë afatin ndaj ultimatumit të vënë ndaj Iranit për arritjen e një marrëveshje, si edhe hapjen e Hormuzit gjatë kësaj periudhe. Në postimin e tij në Truth, Trump shkroi se këtë vendim e mori pas kërkesës së kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif që të pezullonte “forcën shkatërruese që po dërgohej drejt Iranit”.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka konfirmuar marrëveshjen për armëpushim dyjavor, të negociuar me ndërmjetësimin e Pakistanit.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia Mehr, thuhet se marrëveshja është arritur me miratimin e liderit të ri suprem të Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei.

Sipas deklaratës, marrëveshja konsiderohet një “fitore për Iranin”, ndërsa bëhet e ditur se negociatat për një marrëveshje të përhershme do të zhvillohen në Islamabad.

Advertisement