Connect with us

Aktualitet

A po kthehet Bullgaria sot në kryeqendrën e re ekonomike të Ballkanit?

Nga Eljanos Kasaj

Bullgaria i ka tejkaluar zyrtarisht Greqinë dhe Rumaninë për sa i përket fuqisë blerëse, duke u pozicionuar si lider në Ballkan.

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga një studim i Bankës Evropiane standardi i fuqisë blerëse në Bullgari është 13,079 euro, pak më i lartë se 13,023 euro që është standarti i Rumanisë. Greqia, një anëtare më e gjatë e BE-së që nga viti 1981, duket se enede vuan pasojat e Krizës Financiare të vitit 2009 dhe vijon të mbetet ende fort prapa me 12,436 euro, duke theksuar kështu progresin e shpejtë ekonomik të Bullgarisë që nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian në vitin 2007 së bashku me Rumaninë.

Standarti i Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard-PPS) është një masë që pasqyron vlerën reale të parave në të gjitha vendet, duke lejuar krahasime të drejtpërdrejta të standardeve të jetesës. Në rajonin e gjerë të Ballkanit, vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian tregojnë fuqi blerëse dukshëm më të ulët. Turqia i afrohet 10,000 eurove për shkak të ekonomisë së saj më të madhe bazuar në pasuritë nëntokësore dhe industrisë e saj popullore të turizmit, ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut regjistrojnë përkatësisht 8,971 euro dhe 7,609 euro. Shqipëria regjistron standardin më të ulët prej 5,098 eurosh, pavarësisht faktit se qeveria vendase ka shpenzuar miliona në promovimin e turizmit ose tërheqjen e investimeve të huaja.

Përtej Ballkanit, Bullgaria tejkalon gjithashtu disa vende të Evropës Qendrore. Sllovakia dhe Hungaria, për shembull, kanë vlera të PPS prej 11,433 eurosh dhe 11,999 eurosh, përkatësisht, me Hungarinë e cila për shkak të dëmeve të shkaktuara ekonomisë së saj prej sanksioneve evropiane anti-ruse dhe gjobave të majme të Brukselit si rezultat i politikave të saj kombëtare konservatore radhitet e fundit midis vendeve të Bashkimit Evropian për standartin e fuqisë blerëse të popullit hungarez. Në përgjithësi, hendeku midis fuqisë blerëse më të lartë dhe më të ulët në Bashkimin Evropian është i konsiderueshëm, me Luksemburgun që kryeson me 38,581 euro dhe Hungarinë me 11,999 euro, një diferencë prej 26,582 eurosh.

Rritja e Bullgarisë tregon një përmirësim të dukshëm në gjendjen ekonomike të qytetarëve të saj krahasuar me homologët rajonalë ballkanik dhe të Bashkimit Evropian, por ajo nuk duket ti japi zgjidhje krizës së boshatisjes së frikshme që vendi po kalon, rënies në shifra historike të lindshmërisë dhe pakënaqësisë së madhe në popull për sa i përket progresit të vendit që prej hyrjes në Bashkimin Evropian (me Eurostatin që raporton shifrën 51% si nivelin e euroskepticizmit në Bullgari për vitin 2025)- duke ngritur kështu pyetjen se sa pasqyrohen këto shifra mbreslënëse të standartit të fuqisë blerëse të popullit bullgar në realitet dhe, çfarë është edhe më e rëndësishmja, për sa kohë akoma do të vazhdoj kjo “mbrekulli ekonomike bullgare”?

Advertisement