Connect with us

Politike

Abilekaj: Ftesa e Trump për Ramën është mashtrim diplomatik, Spiropali bën propagandë

Qeveria shqiptare e ka paraqitur ftesën e dërguar nga ish-presidenti amerikan Donald Trump për kryeministrin Edi Rama si një sukses diplomatik dhe një shenjë të vlerësimit ndërkombëtar. Megjithatë, Abilekaj zbulon një realitet krejtësisht të ndryshëm, ku kjo ftesë duket të jetë më shumë një manovër propagandistike për të mbuluar marrëdhëniet e ftohura me aleatët strategjikë.

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, analisti Enton Abilekaj theksoi se ftesa e ish-presidentit amerikan Donald Trump për kryeministrin Edi Rama nuk është një vlerësim personal, por një manovër propagandistike për të mbuluar marrëdhëniet e ftohura me aleatët ndërkombëtarë.

Abilekaj theksoi se realiteti është i qartë: SHBA-ja mbështet institucionet e drejtësisë, si SPAK dhe BKH, dhe jo ekzekutivin, ndërsa Rama përpiqet të krijojë iluzionin e mbështetjes duke përdorur zyrtarë të tij, si Elisa Spiropali, për të shpërndarë mesazhe propagandistike dhe për të manipuluar opinionin publik, duke e kthyer ftesën në një veprim propagandistik dhe jo në një sukses diplomatik real.

Pjesë nga deklarata:

Kjo është shenjë e qartë e një mazhorance që e ka kuptuar fare mirë që nuk ka më mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, miqve ndërkombëtarë, perëndimorë pra, dhe sigurisht nuk ka as mbështetjen e shqiptarëve. Kështu që ka vendosur që, ashtu siç në parlament sot injoroi opinionin publik, injoroi detyrimet ndaj drejtësisë, ndërkohë në politikën ndërkombëtare mundohet të mashtrojë veten dhe të mashtrojë shqiptarët se gëzon pozita të forta. Madje, Rama është një lider i mbarëvlerësuar ndërkombëtarisht, i vlerësuar ndërkombëtarisht.

Dhe kjo ftesë rutinë, që në fakt nuk është rutinë, por kjo ftesë që u dërgua të gjithë përfaqësuesve të shteteve të botës për Bordin e Paqes, ishte një ftesë për një figurë paqësore në botë, si Edi Rama.

Tani, përveç se ne jemi mësuar në politikën e brendshme me këtë lloj reagimi, ajo që më ka bërë përshtypje është pse e detyroi Edi Rama Elisën Spiropalin të fliste për Bordin e Paqes në konferencë shtypi. Ky është një mesazh që në fakt ata duan të shkojë si një lëpirje ndaj Trumpit, duke u munduar të tregojë sa është gazëllyer kryeministri shqiptar dhe sa shumë e do Trumpin. Dhe sigurisht, për të bindur shqiptarët, për të shuar çdo ide në Shqipëri që Edi Rama nuk ka më mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, prandaj rrëzimi i tij është i afërt.

Kjo ide që rrëzimi i Ramës është i afërt pa mbështetjen e ndërkombëtarëve mund të çojë shumë njerëz në protesta, dhe pas një jave kemi protestë shumë të madhe të opozitës, në qoftë se do të bëhet.

Kështu që, sikur të shtunën, në qoftë se njerëzit besojnë që zoti Rama ka kohë të shkurtër, protesta do të jetë e plotë. Dhe Rama duket qartësisht se ka një marrëdhënie shumë të ftohtë dhe jo miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo është e qartë jo nga thashethemet, por nga deklaratat zyrtare që janë lëshuar nga Departamenti i Shtetit, nga Shtëpia e Bardhë dhe nga përfaqësuesit e tyre në Tiranë.

Ne kemi tre mesazhe që na janë dërguar, nga Rubio, sekretari i shtetit dhe presidenti Trump për 28 nëntorin, dhe vetëm të premten nga e dërguara me punë në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, që flasin për një partneritet jo me homologët e tyre, sepse qeveria amerikane homologon në Shqipëri me qeverinë shqiptare, jo me SPAK-un dhe BKH-në. Por për një partneritet me ata që kontrollojnë homologun e tyre në Shqipëri, pra me SPAK-un dhe BKH-në, me institucionet ligjzbatuese, ku ata me kujdes përjashtojnë edhe policinë shqiptare, e cila varet nga qeveria.

Pra, kjo është një rast i paprecedent që të bëhen deklarata, tre deklarata rresht, mos të përmendet qeveria shqiptare si partner bashkëpunimi, por si një problem. Ata thonë se do të bashkëpunojnë me institucionet ligjzbatuese, SPAK-un, BKH-në, për të luftuar krimin e organizuar, trafiqet dhe pastrimin e parave.

Ka një ndarje të qartë: një qeveri thotë që nuk do të bashkëpunojë me një qeveri tjetër, por me ata që duan ta fusin në burg qeverinë. Është e qartë se cili është mesazhi. Prandaj, Edi Rama, i gjendur mes këtyre mesazheve, pa mundësi për të ndërruar mendimin në SHBA, tani do të duhet të bëjë si i gazëllyer me një ftesë që u dërgon të gjithë kryetarëve të shteteve.

Një ftesë për Bordin e Paqes, që siç po ndodh në Evropë, në vendet serioze të Bashkimit Evropian, edhe në Shqipëri duhet të shfrytëzohej për reflektim të thellë dhe jo për gazëllim. Duhet të ngjallte frikë dhe trishtim. Sepse kemi të bëjmë me një institucion të ri që do ndërtohet nga zoti Trump, presidenti i SHBA-së, i cili do të jetë një institucion paralel i Kombeve të Bashkuara.

Shumë vende të botës po shqyrtojnë pjesëmarrjen e tyre dhe statusin që do të kenë. Një institucion ndërkombëtar që bën 80 vjetorin tani, OKB-ja, vendos në diskutim aleancën me SHBA dhe presidentin Trump, apo marrëdhëniet private me të.

Në vend që Spiropalin ta kishte futur në bisedime për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh, Rama zgjodhi të dalë dhe të flasë gënjeshtra dhe pallavra për një rol hipotetik që nuk ekziston, duke shndërruar një çështje delikate ndërkombëtare në politikë të brendshme.

Në kampin e Shtëpisë së Bardhës, një qeveri që ka humbur shpresat për mbështetje amerikane mundohet të shpikë dhe abuzojë me çdo shenjë që i jepet për të rikrijuar marrëdhënien dhe për të krijuar idenë që qeveria është po aq e fortë sa ka qenë.

Është e rëndësishme të sqarojmë: bordi nuk është ai i Gazës që ekzekutivi i përdor. Nuk duhet ngatërruar me Bordin e Paqes.

Nuk e dimë statusin e Ramës në raport me Bordin e Paqes, mund të jetë i varur ose të zgjidhet nga bordi. Është ende herët për të folur. Tony Blair dhe Jared Kushner, si miq të Ramës, mund të kenë ndikuar. Por ne jemi shtet, jo politikanë që nuk kuptojnë botën. Ne jemi një shtet i vogël që me mundim ruan aleanca që na çojnë drejt suksesit.

Pas ’90-ës, krijuam një aleancë perëndimore që na ndihmoi të arrinim momentin më të mirë historik me çlirimin e Kosovës, krijimin e dy shteteve shqiptare, dhe realizimin e marrëveshjes së Ohrit që garanton më shumë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë. Pra, kemi pasur një moment historik shumë të mirë për shkak të një aleance të tillë, e cila sot është në krizë. Kjo shihet qartë dhe nuk ka nevojë të na e thotë kush. Qëndrimi i shtetit shqiptar, jo i Edi Ramës, përcakton suksesin.

Advertisement