Rajon
Aksident fatal në Kretë, tre adoleshentë humbin jetën
Një aksident tragjik ka ndodhur sot në Chania të Kretës, ku tre të rinj, të moshave 15, 19 dhe 20 vjeç, kanë humbur jetën, ndërsa një vajzë 22-vjeçare është në gjendje të rëndë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor verior të Kretës. Sipas raportimeve nga mediat lokale, dy prej të rinjve kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa i treti ndërroi jetë në spitalin e Chanias, pas dërgimit në urgjencë.
Aksidenti u shkaktua kur makina, me të cilën udhëtonin katër të rinjtë, u përplas me një furgon në zonën e Galatës. Sipas informacioneve paraprake, makina dyshohet se ka tentuar të parakalojë, por drejtuesi humbi kontrollin, duke shkaktuar përplasjen fatale.
Pas aksidentit, pasagjerët e makinës mbetën të bllokuar brenda mjetit, dhe zjarrfikësit u thirrën për t’i nxjerrë. Ndërkohë, personat që ndodheshin në furgon, gjithsej 19, nuk pësuan lëndime të rënda, por u dërguan për kontroll në spitalin e Chanias.
Hetimet për shkaqet e saktë të aksidentit janë në vazhdim, ndërsa tragjedia ka tronditur komunitetin lokal.