Kronike
Aksidenti me dy viktima në 2022, Apeli shpall të pafajshëm shoferin e makinës (EMRI)
Gjykata e Apelit ka liruar nga qelia 35 vjeçarin Marsel Busho, i cili ishte shpallur fajtor dhe dënuar nga Gjykata e Lezhës me 5 vite burg si shkaktar i një aksidenti të rëndë të ndodhur në vitin 2022, ku humbën jetën dy te rinj.
Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 20 gushtit në aksin rrugor “Milot – Tuneli Kalimashit”, ku mjeti që drejtohej nga Busho është përplasur me barrierën metalike dhe për pasojë humbën jetën Denis Gjeta, 30 vjeç dhe Marius Çeça 31 vjeç.
Shkak për aksidentin u dyshua se u bë humbja e kontrollit të mjetit nga ana e 35-vjeçarit Busho, por Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm këtë të enjte.
“Në përfundim të gjykimit, sot më datë 29.02.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Edlira Petri, dhe anëtarë znj.Marsela Pepi dhe z. Fatri Islamaj, vendosi:
-Ndryshimin e vendimit nr. 154/211, datë 05.06.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë dhe deklarimin e pafajshëm të të pandehurit M. B për vepren penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290, paragrafi i katërt i Kodit Penal.
-Urdhërohet lirimi i menjherëshëm i të pandehurit M. B, nëse nuk mbahet për ndonjë vepër apo vendim tjetër penal”,- thuhet në njoftim.